Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, shprehu besimin se marrëveshja për liberalizimin e vizave mund të arrihet në qershor të vitit të ardhshëm.
“Shqipëria duhet të plotësojë kushtet për vizat, që janë dokumentat e sigurta të identifikimit dhe lufta kundër krimit”, u shpreh Fratini.
Ministri i Jashtëm italian doli sot në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Lulzim Basha, me të cilin vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në fjalën e tij, Fratini theksoi se me rëndësi për integrimin e Shqipërisë janë reformat dhe ato duhet të bëhen në bashkëpunim mes shumicës dhe opozitës.
Nga ana e tij, ministri Basha njoftoi se në takim është biseduar për reformat e Shqipërisë për integrimin e saj europian dhe masat e marra për punën për liberalizimin e vizave.
“Njoha ministrin për masat që kemi marrë në këtë proces dhe ai vetë do të jetë dëshmitar për atë që kemi bërë për regjistrin elektronik dhe kartat biometrike”, u shpreh Basha.