Krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten problemet kryesore të Kosovës, thuhet në Raportin vjetor të Komisionit Evropian, i cili publikohet për të gjitha vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në raport rekomandohet që autoritetet kosovare duhet të forcojnë më shumë sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dialogun ndëretnik. Raporti përmend se qeveria e re e Hashim Thaçit është vonuar shumë në fillimin e reformave për shkak se puna e qeverisë në masë të madhe ishte e ndikuar nga statusi dhe çështjet e tjera të lidhura me deklarimin e pavarësisë.