Shtypi i sotëm britanik në faqet e para ka atë qe po cilëson beteja për mbijtesën politike të Xhorxh Osbornit, njeriut dy të opozitës konservatore, njeriut që mendohet se do të jetë Ministri i Financës nëse opozita fiton zgjedhjet e ardhshme.
Sipas The Independent, Ministri në hije i Financës e pranon se është takuar pesë herë me një oligark rus, por nuk i ka kërkuar atij donacione politike për partinë e vet.
Sipas gazetës dëshmitarë të rinj dalin që sfidojnë versionin e Osborn në bordin e jahtit të miliarderit rus.
Kjo dëshmi duket se vjen nga Nathanail Rothçajlld, përfaqësues i dinastisë bankare, i cili sipas The Independent thotë se z.Osborn i ka kërkuar para manjatit rus të aluminit Oleg Deripaska në jahtin e tij në Korfuz në muajin gusht.
Edhe The Times, boton foton e Osborn në faqe të parë dhe shkruan se Xhejms Guduin, një ish këshilltar i Presidentit Kllintën ka qënë dëshmitar i bisedës për parat.
The Daily Telegraph, në faqe të parë ka si titull: Osborni dhe Oligarku.
Financial Times përveç këtij lajmi dhe mohimit nga Osborn të akuzave, në faqe të parë ka si artikull: Britania po hyn në reçesion, sipas guvernatorit të Bankës së Anglisë, Mervin King.
Sipas Financial Times, Guvernatori i Bankës bën vlerësimin më të errët, ndërkohë që paralajmëron për një rrënie të menjëhershme të mundshme të monedhës britanike, Stërlinës.
Nga The Guardian veçojmë një editorial shkruar nga ish Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar në Bosnje, britaniku Pedi Eshdaun dhe ish dipllomati amerikan Riçërd Hollbruk për gjëndjen në Bosnje me rastin e 13 vjetorit të përfundimit të konfliktit dhe arritjes së marrëveshjes së Dejtonit.
Sipas tyre " jemi duke ecur symbyllur drejt një krize tjetër ballkanike. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin veprime urgjente dhe të unifikuara.
Politika e Jashtme e BE-së mbi të gjitha është një politikë ballkanike. Vëmendja kohët e fundit është fokusuar ndaj Kosovës. Por Bosnja ka qënë sfida më e madhe dhe më e rrezikshme", shkruan The Guardian.
" Ka ardhur koha ti kushtohet sërish kohë Bosnjës, nëse nuk dëshirojmë që gjërat të përkeqësohen shumë shpejt.
Çmimin e një gjëje të tillë duhet ta kemi mësuar ndërkohë", përfundon editoriali i The Guardian.