Shitja globale e modelit të ri të telefonit iPhone 3G, të prodhuar nga kompania amerikane Apple ka filluar të premten në kontinentin aziatik me një shpejtësi marramendëse të paparë deri më tani, raporton agjencia e lajmeve, Associated Press.
iPhone i ri i shumë kërkuar nga entuziastë të teknologjisë moderne e ka të instaluar sistemin 3G ose thënë ndryshe përdor sistemin e gjeneratës së tretë të celularëve.
Australia, Zelanda e Re, Hong Kongu dhe Japonia janë vendet e para të zgjedhura për lansimin e modelit të ri të iPhone. Pas Azisë në rend do jenë 22 shtete të Evropës derisa shitja e modelit të ti të iPhone në Amerikën Veriore do të fillojë në orën 8 të mëngjesit sipas orëve lokale të qyteteve amerikanë.
"Shikojeni se çfarë dizajni inovativ ka ky telefon”, tha Yuki Kurita, duke dalë nga një dyqan i Tokios me një iPhone 3G ‘fintak’ të ri të cilin ende nuk e ka mësuar mirë ta përdorë.
Duhet theksuar se mundësitë operative të iPhone-it në Japoni konsiderohen më pak revolucionare ku njerëzit tashmë janë mësuar me aparate të teknologjisë së lartë për të kontrolluar e-mailin, shkarkuar ndonjë video ose për të kërkuar restorante të reja.
Në Hong Kong kërkesa për modelin e ri iPhone 3G ka qenë aq e madhe saqë 1,500 telefonat e parë janë shitur përmes një lotarie të organizuar online.