Është me mjaft dobi e vlerë për kulturën politike, por dhe ndjekësit e politikës ballkanike, leximi i memuareve apo ditarit të presidentit Mesiç, të botuar në shqip me titullin "Si është shkatërruar Jugosllavia" (libër ky i botuar për herë të parë në kroatisht më 1992, dhe me pak modifikime më 1994). Kjo e lidhur ngushtë dhe me faktin që Mesiçi, në fillimet e procesit të shpërbërjes, copëtimit apo "zbërthimit eksploziv" të Jugosllavisë, ka qenë një nga figurat më të larta legjitimiste të hierarkisë politike në nivel të Kroacisë dhe të Federatës.
Kështu, në periudhën maj-gusht 1990, pas zgjedhjeve të para pluraliste ai u emërua Kryeministër i parë i Republikës së Kroacisë. Më 25 gusht të po atij viti, me vendim të Kuvendit të Republikës së Kroacisë, bëhet anëtar i Kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe gati një vit më vonë, për afro 6 muaj (me gjithë kundërvëniet e egra dhe marifetet e mëdha të politikës serbe), dhe Kryetar i Kryesisë së RSFJ-së. Midis viteve 1992-1994 kryen detyrën e Kryetarit të Parlamentit të Kroacisë, kurse më 7 shkurt 2000 zgjidhet President i Kroacisë, detyrë në të cilën rizgjidhet dhe në 16 janar 2005...
***
Me fakte e analiza, mbështetur dhe në përjetimin e tij personal, në libër jepen të gjitha ato shkaqe të shpërbërjes së Jugosllavisë, që në dritën e sotme janë mjaft interesante e intriguese, por dhe bindëse e dëshmuese të një force të madhe ndikuese e parashikuese të autorit.
Duke analizuar pengesat që po krijonte Millosheviç dhe grupi i tij për marrjen e detyrës së kryetarit të kryesisë, prej Mesiç, si i njohur në qëndrimet e tij demokratike, madje dhe i burgosur në fillim të viteve 70-të për bindjet e tij të barazisë federative e qytetare (ndryshe, të quajtur dhe "pranverë kroate"), vetë autori në seancën e majit 1991 u drejtohet të pranishmëve: "...Deklaroj se me këtë obstruksion që vjen nga republika e Serbisë është e qartë se është ajo që po shkatërron Jugosllavinë dhe për këtë ajo duhet të mbajë të gjitha përgjegjësitë për të gjitha pasojat para opinionit vendas dhe botëror...". (f. 35)
Dhe kjo e thënë në një kohë mjaft të vështirë, kur pranë tij ndjehej kërcënimi i eliminimit fizik nga "ideologët" e Serbisë së Madhe dhe gjeneralët e Armatës Jugosllave, mbështetës fanatikë të kësaj ideologjie. Madje, në atë periudhë, një ish-zëdhënës i Millosheviçit, kur u arrit të pengohej për pak kohë dalja e Mesiç në krye të Kryesisë, siç kujton ky i fundit, deklaroi me një megalomani serbomadhe demagogji fyese se "forcat demokratike (që në fakt ishin çetnikët e Sheshelit, apo çetnikët komunistë të Millosheviçit) arritën dje të pengojnë që Stipe Mesiç, i cili ka premtuar se do të jetë Presidenti i fundit i Jugosllavisë, të vijë në krye të Presidencës së RSFJ-së! ".(f. 41). Po në atë kohë dhe ushtria po shkëputej nga drejtimi civil institucional, kurse shtabi i komandës së lartë, siç e analizon dhe Mesiçi në libër, po futej "gjithnjë e më shumë në skutat e zotit Millosheviç...". (f. 57).
***
Në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, mjaft mirë dokumentohet e analizohet edhe diplomacia ndërkombëtare, fillimisht me një efekt inercial të konsiderueshëm, më shpesh si ushtrim burokratik i "parimit të veprimit minimal", apo i "ekuilibrave të paekuilibrueshëm". Janë, p.sh., karakteristike shprehjet e regjistruara në ditarin e Mesiçit, mbi pozicionin fillestar italiano-gjerman apo qëndrimi rus për "ruajtje integriteti territorial të Jugosllavisë", qëndrimi amerikan kundër "vendimeve të njëanshme për ndarje që mund të shkaktojnë dhunë", apo, p.sh., dhe qëndrime të më të vegjëlve që "shpallja e njëanshme nuk përbën arsye të mjaftueshme për njohje nga ana e Suedisë". (f. 117).
Diku më vonë, me thellimin e mëtejshëm të gjakderdhjes në ish-Jugosllavi, janë mjaft të drejtpërdrejta e kuptimplote komentet, apo leximet politike të Mesiçit. Kështu, ai shkruan: "Ashtu siç fola dhe në Munih, Millosheviqin, si dikur Hitlerin, askush nuk mund të jetë në gjendje ta kënaqë. Millosheviqi dhe gjeneralët e tij shkojnë deri atje sa t'i shpallin luftë edhe Gjermanisë, sepse edhe ajo, sipas tyre, ashtu si dhe Kroacia, është krijesë fashiste. Kërcënojnë me ofensivë luftarake deri në thyerjen e Republikës së Kroacisë, por dhe republikat dhe shtetet e tjera fqinje...
Në mbarë Kroacinë pushtuesi bën krime të pakonceptueshme për gjininë njerëzore. Për fat të keq Perëndimi po zgjohet shumë ngadalë nga letargjia. Por mirë që ambasadori amerikan, Zimerman, së paku tani, përgjegjësinë për krizën dhe luftën ia vesh fajtorit të vërtetë, Serbisë dhe ushtrisë, ndërsa senati nëpërmjet një Rezolute të re i bën thirrje administratës së Bushit, që të njohë pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë...". (f. 422)
Me kontributin e madh të Mesiçit dhe të demokratëve të tjerë jugosllavë, kjo situatë "diplomatike" u ndryshua gradualisht. Në frontin kryesor doli gjermani Gensher e diplomacia SHBA-së, më tej austriakët dhe shtete të tjera evropiane. Pranohet kështu pavarësimi i Sllovenisë dhe Kroacisë. Por dhe armata jugosllave u fut më thellë në krimet e saj, sidomos në Kroaci. Ndryshe, nga rasti slloven, që u mbyll shpejt, ushtria dhe forcat policore e paramilitare serbe, gjatë pushtimit të territoreve kroate, kryen krime të konsiderueshme. Por vonesa akoma më të mëdha, bile tepër fatale të shoqëruara me ngjarje monstruoze, u panë në rastin e Bosnjës, ku u fut egër në lojë dhe mekanizmi fetar.
Siç thekson Mesiçi, edhe e ashtuquajtura armatë jugosllave në duart e gjeneralëve serbë dhe të "thonjve" politikë të Millosheviçit, "nga ruajtësi i socializmit dhe e vetadministrimit, nga "ndërtuesi dhe garantuesi i vëllazërim-bashkimit", soldateska "kushtetutë mbrojtëse", u shndërrua në realizuese e programit serbomadh të avokatit të Banja Llukës Moljevi"(f. 324), sipas të cilit, për serbët detyra e parë dhe themelore është: "...që të krijojnë dhe organizojnë Serbinë homogjene, e cila të përfshijë tërë zonën etnike në të cilën jetojnë serbë, dhe të sigurojnë linjat dhe nyejt e nevojshme strategjike, si dhe zonat ekonomike...". (f. 324).
Po ashtu, duke analizuar arsyet e fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë Mesiçi thekson: "Rikujtoj procesin e ardhjes sime në funksion dhe në faktin se kam gjetur një rend kushtetues të shkatërruar në Jugosllavi, i cili fillimin e pati në miratimin e kushtetutës serbe të vitit 1989, kur iu mohua ekzistenca dy krahinave autonome në sistemin federal të pushtetit". (f. 423). Ndërsa, pak më tej, në faqen 430, ai shprehet: "...nuk më vinte keq që po shkatërrohej Jugosllavia, sepse ishte e ardhmja që asaj nuk i jepte asnjë shans, por zemra më pikonte gjak për shkak të krimeve të kryera në procesin e dështuar të shndërrimit të Jugosllavisë në Serbi. Nuk ishte e vështirë të llogarisje se, me tu ndalur në Kroaci, zjarri do të përhapej në Bosnjë e Hercegovinë, prandaj shumë shpesh paralajmëroja se "ajo që do të ndodhë në të ardhmen në Bosnjë e Hercegovinë do të tregojë më së miri prirjen kriminale të qeverisë beogradase"".
Dhe ky parashikim i tij, mbështetur në njohjen tërësore të Millosheviçit (apo siç e quan ai "Sadamin e Pozharevacit" (f. 430)) dhe të bandës së tij kriminale paraushtarake, policore e ushtarake, u vërtetua tragjikisht në Bosnjë dhe disa vjet më vonë me popullsinë shqiptare në Kosovë. Makina vrastare e Millosheviçit sipas programit "potkoi" ushtroi dhunë makabër, aplikoi politikën e pastrimit etnik dhe gjenocidit ndaj kësaj popullsie gjë që vërtetoi, sipas Mesiçit, atë që "studentët beogradas, që në mars të vitit 1991, e kishin thënë shumë qartë se të krahasosh Millosheviqin me diktatorin e Irakut, është fyerje për Sadamin". (f. 430)...
Së fundi, Presidenti Mesiç, e mbyll ditarin e tij me besimin e madh për të ardhmen. Në rreshtat e fundit ai shkruan: "Puna për çarjen e bllokut jugosllav, pavarësisht nëse bëhej fjalë për "burgun e popujve" të kohës së mbretit, apo për diktaturën komuniste, është shpënë në fund. Tani na mbetet ndërtimi krijues i madhështisë së ëndërruar". (f.432)...
***
Mesiç dëshmon me mjeshtëri në këtë libër se me sulmin serb mbi kushtetutën e vitit 1974 dhe me heqjen e autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës në Kushtetutën serbe të vitit 1989, filloi shpërbërja e Jugosllavisë, e kësaj krijese artificiale të shekullit të 20-të që kishte pësuar mutacione të shumta në vite...
Akt i parafundit i kësaj shpërbërjeje apo i këtij copëtimi ishte shpallja e pavarësisë së Malit të Zi, me referendumin e 21 majit 2006. Ka mbetur dhe akti i fundit i këtij copëtimi: ai i shpalljes de jure të shtetit sovran de facto të Kosovës, që nuk do të vonojë dhe nuk mund të vonojë. Madje, në librin e Mesiçit mund të lexohet e sendërtuar dhe "teknologjia" konkrete për një arritje të tillë. Për më tepër, po ta lexojnë me kujdes këtë libër, por dhe të analizojnë me mendje të ftohtë proceset e djeshme, të sotme e të nesërme dhe prirjet konkrete të ndryshimeve, mjaft nga nostalgjikët e patologjisë së Serbisë së Madhe dhe shumë nga "frymëzuesit" e mbështetësit e saj, ndoshta, mund të kthjellojnë pamjen dhe të largohen nga mendësitë e pozicionet e tyre anakronike nacionaliste-shoviniste, tërësisht jashtë kohës dhe hapësirës. Por dhe nga "heroizmi" karakteristik i "viktimizimit"!
Vetëm kështu, pas kaq vjetësh luftërash e gjakderdhjesh, mund të mos humbet më një kohë e çmuar dhe mjaft e domosdoshme në rrugën e përbashkët të popujve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së e NATO-s. Dhe me këtë perspektivë integruese euro-atlantike, pas një procesi të plotë copëtimi apo analize (që mbyllet me sovranitetin e Kosovës), rajoni i Ballkanit Perëndimor vendoset përfundimisht në një fazë të re: në atë të procesit të sintezës në nivelin e Evropës së Bashkuar. Dhe aty duhet të ketë vend, sa më shpejt të jetë e mundur, për të gjithë vendet tona: për Kroacinë, Maqedoninë, Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Bosnjën e Serbinë. Por kjo duhet kuptuar edhe nga BE-ja, në radhë të parë politikisht, dhe pastaj teknikisht.
Ky do të ishte dhe realizimi i "madhështisë së ëndërruar" për rajonin tonë, mbyllja e një kapitulli përplasjesh e konfliktesh dhe hapja e një kapitulli të ri bashkëjetese e zhvillimi. Dhe në këtë mbyllje kapitulli të vjetër dhe hapje kapitulli të ri, roli i Presidentit Mesiç është mjaft i çmuar.