Në mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar për punë të brendshme dhe siguri, komandanti i TMK-së gjenerallejtënant, Sylejman Selimi ka bërë prezantimin e shqetësimeve dhe në përgjithësi kërkesat e pjesëtarëve të TMK-së për të ardhmen e tyre. Sipas Selimit këto shqetësime nuk janë të sotme por ato i kanë prezantuar institucioneve shtetërore edhe para miratimit të ligjit për TMK-në.
Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për siguri Rrustem Mustafa, ka mohuar se pjesëtarët e TMK-së janë të pakënaqur me ligjin për ta. Në këtë deklaratë nuk reagoi komandanti i TMK-së, gjenerallejtënant Selimi, por u bë e ditur se përpos propozimit të tij për krijimin e policisë kufitare me pjesëtarë të mbetur jashtë forcës së sigurisë së Kosovës, janë edhe 7 ose 8 mundësi të tjera se çka do të bëhet me ta.