Kryesia e Lidhjes Demokratike e Kosovës u zotua sot se do të vazhdojë reformat brenda partiake megjithë dorëheqjen e kryeshefit ekzekutiv Blerim Kuçi. Kryesia konstatoi dorëheqjen e tij, por anëtarët e saj dolën nga mbledhja me qëndrime të ndryshme rreth ecurisë së reformave në të ardhmen.
Dorëheqja e parevokueshme e Kryeshefit ekzekutiv Blerim Kuçi ishte në fokus të takimit të sotëm të Kryesisë së LDK-së, por pa u diskutuar shkaqet e dorëheqjes. Anëtarët e Kryesisë arsyetuan këtë me faktin se bëhet fjalë për dorëheqje të parevokueshme.
Njëri nga nënkryetarët Fadil Ferati tha se reformat do të vazhdojnë.
Eqrem Kryeziu theksoi po ashtu vendosmërinë për vazhdimin e reformave, dhe madje falënderoi mediat për siç tha serialin që kanë krijuar gjatë mbulimit të zhvillimeve të fundit në LDK.
Por, jo të gjithë anëtarët e Kryesisë së LDK-së mendojnë njëjtë.
Ali Lajçi tha se në LDK ka krizë dhe sipas tij duhet mbledhur Këshillin e Përgjithshëm të partisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme në parti.
Lajçi tha se sot në mbledhje nuk ka pasur asnjë dokument të shkruar për diskutim, qoftë dorëheqja e Kuçit, qoftë arsyetimet e Sejdiut. Pjesëtari tjetër i Kryesisë, Astrit Haraçia pas deklarimeve të ditëve të fundit në media, tha se qëndron pas deklarimeve të tija për postet e dyfishta. Haraçia tha se pozicioni i Kryetarit të Kosovës në dorëheqjen e Kuçit nuk është diskutuar në mbledhjen e sotme. Sipas tij, pesë nënkryetarët do të udhëheqin procesin e reformave deri në zgjedhjen e një kryeshefi të ri, duke shtuar se reformat janë të vështira dhe se për funksionarët është problem që t’i lëshojnë lehtë karriget.