Çfarëdo të jeni duke kërkuar, thjesht shkruani fjalët e duhura në shiritin e kërkimit të Google (
www.google.com ) dhe shtypni Enter. Në shumicën e rasteve, informacioni që doni do të shfaqet diku ndër rezultatet e para të faqes. Por fakti është se kjo nuk ndodh përherë.
Nëse kërkimi juaj i referohet një aspekti specifik të kuptimit të përgjithshëm, p.sh. analiza bashkëkohore e veprës së Albert Ajnshtajnit “Teoria speciale e relativitetit”, atëhere do të ishte njëlloj sikur të kërkoje gjilpërën në kashtë.
Duhet të shtoni terma, në mënyrë që ta ngushtoni spektrin e kërkimit. Google pranon deri në 10. Në momentin që Google “kollitet me ironi”, duke mos shfaqur asnjë përputhje me fjalët e kërkimit ose duke shfaqur fjalorë me kuptimet e fjalëve, do të thotë se e keni tepruar me termat e kërkimit.
Për ta orientuar motorin e kërkimit për qëllimin tuaj, do t’ju duhet të përdorni disa prej veçorive të Kërkimit të Përparuar (Advances Search). Me t’u familjarizuar me to, do ta keni shumë më të lehtë të gjeni çka dëshironi, pa u hallakatur kot së koti. Fakti është se nëse përdorni faqen në shqip të Google-it
http://www.google.com/intl/sq/ , veçoritë e Kërkimit të Përparuar janë më të reduktuara se në rastin e versionit anglisht, prandaj ne kemi vendosur të trajtojmë këtë të fundit (me përkthimin përkatës natyrisht), pasi ai i përmban të gjitha veçoritë e variantit shqip dhe ca më tepër.
Kërkimi i Përparuar
Hapni faqen e Google
http://www.google.com dhe klikoni te opcioni Advanced Search (Kërkim i Përparuar). Seksioni i parë “Find web pages that have…” (Gjej faqet ueb që përmbajnë...), riprodhon disa fusha thelbësore. Për shembull, po futët terma në fushën “all these words” (me të gjitha fjalët), është njëlloj si të bëni një kërkim të thjeshtë në Google. Nëse shkruani fjalë në fushën “this exact wording or phrase” (me frazën e saktë), atëherë motori i kërkimit kthen vetëm rezultatet ku termat shfaqen në bllok, pra të gjithë dhe në të njëjtën radhitje. Fusha “one or more of these words” (me ndonjë ose disa nga fjalët) ju mundëson të kërkoni faqe që përmbajnë cilëndo prej fjalëve, por jo domosdoshmërisht të gjitha
Seksioni i dytë “But don’t show the pages that have…” (Mos shfaq faqet që përmbanë…) përfshin vetëm një fushë, e cila përjashton nga rezultatet të gjitha faqet që përmbajnë termat e padëshiruar që shkruat.
Nëse numri i rezultateve që shfaqen për çdo faqe ju duket i pamjaftueshëm, mund ta rrisni duke zgjedhur shifrën e dëshiruar te fusha “Results per page” (Rezultatet për faqe).
Për ta ngushtuar edhe më shumë rrethin e kërkimit, mund t’i kërkoni rezultatet në një gjuhë të caktuar. Te fusha e gjuhës (Language) përzgjidhni njërin nga variantet e listës. Supozojmë se po kërkoni material akademik për të realizuar një detyrë apo studim tuajin. Zakonisht, punimet akademike duhen kërkuar në skedarë të formatit PDF, pasi edhe shumica e veprave në këtë drejtim ngarkohen në këtë format. Për ta specifikuar një gjë të tillë te fusha “File type” (Lloji i skedarit) zgjidhni opcionin “ Adobe Acrobat PDF (.pdf)”. Google ofron edhe mundësinë që ta kufizoni kërkimin në faqe apo domene të caktuar. Te fusha “Search within a site or domain” (Kërko brenda një faqeje apo domeni) shkruani emrin e një faqeje, p.sh. wikipedia.org ose thjesht domenet .edu dhe .org (në këto domen regjistrohen shumica e universiteteve dhe instituteve studimore).
Për të hapur seksionet e tjerë të Kërkimit të Përparuar, klikoni te ikona e plusit “+”.
Nëse kërkimi juaj është në fushën e teknologjisë, atëherë do t’ju hyjë shumë në punë shiriti i datës. Duke qenë se ndryshimet në këtë sektor janë mjaft të vrullshëm, do të ishte e udhës që të përcaktoni edhe kohën e publikimit të materialit. Për ta bërë këtë zgjidhni një variant nga lista, për shembull “6 muajt e kaluar” (past 6 months).
Veçoria mbi të drejtat e përdorimit (Usage rights ) ndoshta do t'ju duket e pavlerë për realitetin shqiptar, por duhet të kini parasysh se skedarët pa të drejtë autori në shumë raste janë të tejmbushur me viruse. Gjithesi, vlen të përmendet fakti se në këtë veçori përcaktohen të drejtat e përdorimit, të shpërndarjes, të modifikimit dhe të tregtimit të materialeve të ndryshëm.
Ka raste kur mund ta limitoni kërkimin duke marrë në konsideratë elementë të veçantë të një faqeje uebi dhe jo të gjithën në tërësi. Për këtë ju vjen në ndihmë fusha “Where your keywords show up” (Ku shfaqen termat tuaj). Aty mund të zgjidhni midis katër alternativave. Nëse dëshironi të kërkoni vetëm titujt e faqeve (teksti që shfaqet në pjesën e majtë të shiritit blu të dritares), zgjidhni “in the title of the page”, nëse dëshironi të kërkoni vetëm në tekstin e faqeve, zgjidhni “in the text of the page”, ndërsa për rastet kur ju duhet të kërkoni vetëm adresat e faqeve apo linket që përmbajnë ato, zgjidhni përkatësisht “in the URL of the page” dhe “in the links of the page”.
Mund t’ju ndodhë që ta dini me siguri se materiali i nevojshëm ndodhet në një faqe të regjistruar në Shqipëri (në një server shqiptar më saktë), ose në ndonjë shtet tjetër specifik. Te fusha “Region” (Rajoni) zgjidhni Albania, ose emrin e cilitdo shtet që mendoni se ka hostuar faqen që kërkoni.
Së fundmi, nëse keni ndonjë të dhënë numerike, e cila luhatet rreth një intervali të caktuar (qoftë kjo edhe nga pasaktësia juaj), ju vjen në ndihmë fusha “Numeric range” Interval numerik). Aty mund të fusni që nga vlerat monetare, e deri te vitet për të cilët flitet në material.
Nëse nuk doni që ndër rezultatet e kërkimit të shfaqen edhe faqe për të rritur, përzgjidhni “On” te opcioni Safe Search (Kërkimi i Sigurtë).
Shkathtësohuni! Përdorni operatorët!
Shumë prej veçorive të Kërkimit të Përparuar mund t’i zëvendësoni duke përdorur operatorët. Këta të fundit janë fjalë kyçe me një sintaksë të caktuar që futen direkt në shiritin e kërkimit dhe bëjnë filtrimet përkatëse. Nëse e vutë re, gjatë gjithë kohës që u praktikuat te Kërkimi i Përparuar, në pjesën e sipërme të faqes ishte një shirit ku pasqyroheshin operatorët ekuivalentë të fushave.
Kështu, për t’i kërkuar fjalët në bllok (frazat ekzakte), mjafton t’i fusni termat në thonjëza dyshe. Fushën “me ndonjë nga fjalët” mund ta zëvendësoni me operatorin OR (ose), me të cilin duhet të ndani termat. Fjalët, për të cilat nuk doni që të shfaqen rezultatet, mund t’i eleminoni nëpërmjet operatorit “-“ (minus). Për shembull kërkoni: “
www.gvhack.tk'' –
Operatori “filetype:” përcakton tipin e skedarit, ndërsa operatorët “intitle:” dhe “inurl:” kufizojnë kërkimin përkatësisht në titullin dhe në adresën e faqeve. Fusha e Intervalit numerik (Numeric range) mund të zëvendësohet nga operatori “..”. Për shembull, kërkoni: Marthin Luther King 1960..1970 filetype: pdf
Kufizimi i kërkimit brenda një faqeje apo domeni të caktuar bëhet nëpërmjet operatorit “site:”. Për shembull: site:
www.gvhack.tkNdër operatorët e tjerë të rëndësishëm duhet përmendur edhe “define:”, me anë të të cilit mund të kërkoni përkufizimin e fjalëve në fjalorët elektronikë të uebit.
Simboli “*” përdoret si zëvendësues i një ose më shumë shkronjave. Zakonisht përdoret për të gjetur shumësin ose variante të tjerë të fjalëve.
Nëse jeni një gjahtar skedarësh, dhe këtu s’e kemi fjalën për punë studimore të formatit pdf apo për html dhe php të zakonshme, por për filma dhe muzikë, operatorët e mëposhtëm mund t’ju bëjnë punë: -inurlhtm|html|php) intitle:"index of" + +(wma|mp3) "The man who sold the world". Kjo vlen për skedarët muzikorë (më saktësisht për këngën e Nirvana), ndërsa për filmat mjafton të zëvendësoni (wma|mp3) me (avi|wmv|mp4), pasuar nga titulli i filmit.
Gjithçka në një paketë të vetme
Thuajini lamtumirë makinës llogaritëse të Windows. Tani mjafton të shkruani veprimin matematikor te shiriti i kërkimin, por në vend të simbolit të barazisë (=), klikoni te butoni Search (Kërko).
Doni të dini motin në qytetin tuaj, por përtoni të nxirrni kokën nga dritarja? Google, në dukje, e hedh poshtë fjalën e urtë "ku shkon përtacia, shtohet varfëria", pasi të pasuron me informacion. Shkruani te shiriti i kërkimit fjalën weather, emrin e qytetit (P.sh: weather tirana) dhe shtypni Enter.
Doni të dini sa është ora në Nju Jork, apo kudo tjetër? Shkruani: time New York dhe jepini Enter.
Fatkeqësisht shërbimi që do të përmendim më poshtë është i vlefshëm vetëm për rezidentët në ShBA, megjithatë mund t’ju vijë në ndihmë në rast se keni ndonjë të afërm në atë vend. Për të gjetur numri e telefonit, adresën dhe hartën e vendndodhjes së shtëpisë së dikujt me banim në ShBA, thjesht shkruani: bphonebook: a smith new york (a smith duhet të jetë kushëriri juaj). Në rast se jeni të interesuar për një restorant me kuzhinë italiane, klub apo çfarëdo biznesi, mjafton që të jetë në ShBA, shkruani operatorin bphonebook: të ndjekur nga emri i biznesit dhe qytetit ku dëshironi që Google ta kërkojë. P.sh bphonebook: italian restaurant new york.
Risitë
Ndër projektet më të afërt të Google vlen të veçohet: Linja kohore (Timeline), Sugjerimet e termave dhe Shkurtoret e tastierës (Keyboard Shortcuts). Linja kohore është një variant i përparuar i opcionit të Intervalit numerik dhe të lejon ta shtrish kërkimin në vite specifikë. Në situata të veçanta kjo i thjeshton gjërat në mënyrë drastike, prandaj ju sugjerojmë t’i bashkangjiteni eksperimentit. Sugjerimet e termave funskionojnë pak a shumë si biskotat (cookies) te shfletuesit, vetëm se kësaj radhe fjalët sugjerohen nga Google dhe nuk merren vetëm nga përvojat tuaja të mëparshme. Shkurtoret të kursejnë jo vetëm kohë, por të japin edhe hijen e një profesionisti, dhe Google e kishte vonuar ca nxjerrjen e tyre. Tani mund të rrëshqisni përgjatë faqes së rezultateve vetëm duke shtypur butonat J dhe K.
Për t'u bërë pjesë e ideve më të reja të Google-it, vizitoni faqen
http://www.google.com/experimental/#...BarTopViewTabs