Gjermania nuk i mbështet idetë për ndarjen e Kosovës dhe Qeveria gjermane angazhohet që të zbatohet plani i Ahtisaarit dhe që EULEX-i të vendoset në tërë Kosovën, tha, në Prishtinë, ministri gjerman i Mbrojtjes, Franz Josef Jung.
Këto komente, zyrtari i lartë i Qeverisë gjermane i bëri pas takimeve që zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, të cilët i kanë kundërshtuar kushtëzimet e Beogradit për vendosjen e EULEX-it në pjesën veriore.
Ministri Jung tha se Gjermania mbështet Kosovën në zbatimin e planit të Ahtisaarit, përderisa po jep edhe një kontribut në vendosjen e EULEX-it si dhe në forcën paqeruajtëse të KFOR-it.
“Ne jemi kundër ndarjes së Kosovës. Jemi për një Kosovë të bashkuar dhe mbi këtë bazë edhe e kemi mbështetur planin e Ahtisaarit, duke u angazhuar që të drejtat e komuniteteve, sidomos të atij serb, të kenë një kujdes të veçantë”, tha ministri Jung.
Ai shprehu besimin e tij se misioni i EULEX-i do të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës, pavarësisht pengesave që po paraqiten aktualisht me kundërshtimet e serbëve lokalë, të mbështetur në planin diplomatik edhe nga Beogradi dhe Moska.