Dita e dytë e turneut “Tirana Open 2008” ka nxjerrë edhe pretendentët për të fituar aktivitetin e organizuar nga Federata Shqiptare e Tenisit.
Të dielën u zhvillua dita e dytë e turneut, ku gjatë paradites ishin përballjet e turit të dytë, ndërsa gjatë pasdites në fushë zbritën çerekfinalistët.
Sot në orën 10:00 do të zhvillohet gjysmëfinalja e parë, ndërmjet Behar Kurteshit (sportistit nga Prishtina, që është edhe numri 1 i tenisit në Kosovë) dhe Hyda Banjska (kosovar që ka jetuar në Gjermani dhe në karrierën e tij ka luajtur edhe në turne si profesionist).
Në orën 14:00 do të zhvillohet gjysmëfinalja tjetër, e cila do të vendosë përballë Genci Çakçirin (numri 1 i Shqipërisë dhe fitues i këtij turneu gjatë vitit të kaluar) dhe Granit Bajraliun (numri 2 i Kosovës).
Finalja e “Tirana Open 2008” do të luhet të martën në orën 14:00. Në turne morën pjesë 36 sportistë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi.
6 ishte numri i atyre që përfaqësonin Kosovën: 4 nga Prishtina dhe 2 nga Prizreni, si dhe favoriti kryesor, Hyda Banjska, që ka jetuar në Gjermani.