The.Timmi ..Administrator..
Numri i postimeve : 419 Age : 31 Vendodhja : www.Alba-oNe.tK Registration date : 25/10/2008
| Titulli: Piratët e bankave, skema e bastisjes së 400 llogarive Sun Oct 26, 2008 7:25 am | |
| Rekord arrestimesh në Tiranë. Kapen 17 "hakerat" që grabitën 2 milionë euro
Ashtu si në një film aksion ka vepruar policia, duke vënë në pranga një grup të organizuar hajdutësh. Banda e të rinjve, e cilësuar ndryshe si krimi i të ardhmes, apo "Matrix 4", siç është quajtur edhe operacioni për kapjen e tyre, përbëhej nga 17 persona. Të gjithë janë kapur brenda një nate, ndërkohë që dyshohen se kanë vjedhur më shumë se dy milionë euro. Vjedhjet e tyre konkretizohen në bankomatet e bankave, ku pasi vidhnin kodet e përdoruesve, falsifikonin kartat e kreditit dhe boshatisnin llogaritë e njerëzve të ndryshëm. Problemi ishte shfaqur kohë më parë, ndërkohë që policia ka mundur të bjerë në gjurmët e tyre, vetëm pas një denoncimi të bërë nga Banka Amerikane e Shqipërisë pak kohë më parë. Operacioni ka zgjatur më shumë se 14 orë dhe në përfundim të tij, kreu i policisë ka dalë në një konferencë për shtyp, duke bërë publike detajet e këtyre arrestimeve. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, pas një hetimi 8-mujor, nën drejtimin e "Task Forcës" së Krimit Financiar dhe Korrupsionit, duke përdorur metodat speciale të hetimit, dy ditë më parë u bë i mundur arrestimi i 17 shtetasve, të cilët në mënyrë të strukturuar, kryenin aktivitetin kriminal të vjedhjes së bankomateve, në orë të ndryshme të ditës dhe të natës, në qytetet të ndryshme të vendit.
"Duke klonuar kartat e kreditit VIZA dhe MASTERCARD, me informacionet e personalizuara të personave të tretë, ky grup ka mundur të sigurojë në mënyrë të paligjshme kryerjen e një sërë transaksionesh financiare, ku përfshihet një vlerë shumë e konsiderueshme, e cila do të konkludohet në përfundimin e hetimeve", tha Prençi, ndërkohë që grupi hetimor vlerësoi se dëmi mund të ketë shkuar mbi dy milionë euro. Nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme, numërohen të paktën 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë, nëpërmjet të cilave vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në Evropë, Kanada, Angli e vende të tjera. Sipas Prençit, Endrit Anil Gjergjani, ose i njohur ndryshe me mbiemrin Laro, nëpërmjet një pajisje elektronike të sofistikuar, tashmë të sekuestruar, ka arritur të klonojë karta krediti me informacione të personalizuara, të blera nga Hakera kompjuterikë në internet, duke bërë të mundur vjedhjen e shumë llogarive bankare të shtetasve të huaj.
Këto karta me shirit magnetik, të përdorshme në vendin tonë, ua shpërndante pjesëtarëve të grupit, mes të cilëve edhe punonjës të bankave të dëmtuara. Në këtë mënyrë është bërë e mundur tërheqja nëpër bankomate e vlerave të konsiderueshme monetare, në lekë dhe valutë, pjesë e të cilave është shpenzuar në blerje të sendeve me vlerë, si argjendari, automjete luksoze të prodhimeve të fundit, aksesorë të ndryshëm, në qendra biznesi në Shqipëri, Maqedoni, Mali i Zi e Kosovë. Prençi ka deklaruar më tej se puna e policisë nisi pas denoncimit të bërë nga "Banka Amerikane e Shqipërisë", në datë 30 nëntor 2007, se në disa bankomate të kësaj banke, është konstatuar bllokimi automatik i kartave plastike, të cilat kanë tentuar tërheqjen e parave të disa llogarive të depozituara në emër të personave të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj. Menjëherë nisi veprimi i Policisë së Qarkut Tiranë, e cila në 20 ditët në vazhdim u pasurua me denoncime nga një sërë bankash të tjera si "Raiffeissen", "ProCredit", "Banka Tirana", "Banka Tregtare" e banka të tjera.
Puna e ndërtuar midis strukturave homologe të antikrimit ekonomiko-financiar në Policinë e Qarkut Tiranë dhe Prokurori, të cilat në bashkëpunim të ngushtë edhe me Departamentet e Sigurisë së bankave të dëmtuara, bëri të mundur administrimin e informacioneve të para në lidhje me mekanizmin e realizimit të vjedhjes, mbi të cilin u ndërtua operacioni i koduar "Matrix 4" për identifikimin e këtyre shtetasve dhe dokumentimin e veprimtarisë së tyre. Në përfundim të detajeve të këtij operacioni, Prençi falënderoi drejtuesit e policisë së Tiranës, që përgjatë 8 muajve tejet intensive hetimesh, ku janë angazhuar mbi 30 agjentë dhe oficerë të policisë, të cilët ia dolën të finalizojnë këtë operacion tepër kompleks. "Duhet theksuar se për herë të parë përballemi me këtë lloj krimi të panjohur më parë për ne, i cili përbën një formë ende të re vjedhjeje edhe për vende më të zhvilluara, arsye për të cilat unë do ta konsideroja "krim të së ardhmes", tha Prençi. Sipas tij, drejtimi tejet profesional i hetimit nga prokurorët e Njësisë së Posaçme të Prokurorisë së Tiranës, si dhe bashkëpunimi i ngushtë me specialistët e bankave ishte çelësi i suksesit të këtij operacioni, që dëshmon për profesionalizmin gjithnjë e në rritje të strukturave të zbatimit të ligjit në Shqipëri. "Personat e mësipërm janë arrestuar për veprat penale të "Vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit", "Sigurimi i mjeteve për vjedhje" dhe "Falsifikimi i letrave me vlerë" të kryera këto në bashkëpunim. Gjate shoqërimit dhe kontrolleve të banesave të 17 anëtarëve të arrestuar të organizatës, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale edhe shumë mjete implikuese.
Të arrestuarit
Endrit Anil Gjergjani (Laro), 19 vjeç, lindur ne Berat dhe banues në Tiranë, student i universitetit "Kristal", Dega Juridik, kreu i organizatës
Anil Shkëlqim Gjergjani, 47 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, babai i Endrit Gjergjanit
Kreshnik Nush Luka, 23 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, student në Universitetin e Kamzës
Ledio Anasatas Doko, 19 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, me arsim të mesëm
Enea Tomor Çela, 18 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, student
Endri Eduart Mezuraj, 19 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, student
Besford Ylli Puka, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të mesëm
Seid Ali Mollaj, 23 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, me profesion inxhinier elektronik, punësuar në sektorin privat
Fatmir Hysen Borshi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, rruga "Muhamet Gjollesha", student në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega Anglisht
Rei Alfred Karapici, 19 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, njësia bashkiake nr. 5 Tiranë, rruga "Komuna e Parisit" me arsim të mesëm
Redi Spiro Çekani, 19 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, student
Blerim Hamit Abazi, 24 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Derven, Krujë, me arsim 8 klasë, i papunë, i padënuar më parë
Flamur Hamit Gashi, 28 vjeç, me arsim 8 klasë, me aktivitet privat, me banim në Derven, Fushë-Krujë, vëllai i Blerim Abazit
Indrit Rrahim Abazi, 23 vjeç, lindur dhe banues në Derven Fushë-Krujë, me arsim të mesëm, i martuar
Alban Pirro Bari, 27 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, student
Klodian Ferdinand Terolli, 20 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, student në universitetin "UFO", i padënuar, i pamartuar
Fatmir Ded Kolmarku, 32 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë, me arsim 8 klasë | |
|