Ylli brazilian i Milanit, Ronaldinjo, është shprehur i lumtur për ardhjen e Dejvid Bekamit në radhët e Milanit. Ndonëse menjëherë pas zyrtarizimit të ardhjes së Bekamit në mediat italiane ka lindur pyetja se kush do t''i ekzekutojë gjuajtjet e lira. Në këtë pyetje Ronaldinjo është përgjigjur:
"Pa dyshim se do t'i gjuajmë unë dhe Dejvidi, ndonjëherë ai e ndonjëherë unë. Bekami është një lojtar i madh dhe një kampion i vërtet. Jam i entuziazmuar me aftësinë, angazhimin dhe sjelljen e tij", ka pohuar Ronaldinjo. Të drejtën e paraqitjes për klubin kuqezi, Bekami do ta ketë duke filluar nga janari, kur fillon edhe afati kalimtar i futbollistëve. Mirëpo, sipas mediave italiane ai do të bashkohet me skuadrën në dhjetor gjatë përgatitjeve në Dubai. "Është dëm i madh që Bekami nuk do të mund të përforcojë radhët tona menjëherë", ka nënvizuar Ronaldinjo.