Emërimi i Shpëtim Duros në krye të stolit i ka dhënë pak frymëmarrje Partizanit.
Megjithatë, pas fitores me goleadë përballë Tepelenës në Kupë, sot, në orën 14:00, ish-asistenti i Oto Bariç në përfaqësuese do të përballet me provën e vërtetë.
Të kuqtë presin në fushën e tyre Shkumbinin dhe objektivi për këtë sfidë janë tri pikët. Kjo është mënyra e vetme për t’u larguar nga vendi i fundit në klasifikim dhe për të filluar rikuperimin e pozicioneve.
Një sfidë aspak e lehtë (momentalisht peqinasit renditen në vendin e katërt me 12 pikë dhe kanë treguar formë të shkëlqyer sportive), që mund të fitohet duke luajtur mirë taktikisht e duke shënuar.
Jo më kot, Duro është përqendruar te këto aspekte në stërvitjen e fundit, edhe sepse sulmi i kuq, me katër gola të shënuar në tetë ndeshje është më i dobëti në Superiore.
Në sfidat e tjera të së shtunës, Vllaznia pret në fushën e saj Elbasanin, ndërsa Dinamo pretendente për titull udhëton drejt Fierit, për të luajtur me Apoloninë.
Ndeshja më e rëndësishme e javës së nëntë është ajo që do të luhet të dielën në kryeqytet, ku Tirana kryesuese pret Besën e vendit të dytë.
Përpara kësaj ndeshjeje, trajneri i bardhebluve Slishkoviç ka “blinduar” skuadrën, duke zhvilluar stërvitje me dyer të mbyllura. Boshnjako-kroati nuk ka preferuar as të flasë për mediat rreth sfidës që do të vëzhgohet edhe nga tekniku kuqezi, Ari Han.