Legjenda e Juventusit Alessandro Del Piero ka shprehur "urinë" e tij për fitore në ndeshjen e radhës kundër Real Madridit.
“Rikthimi në Ligën e Kampionëve ka shumë rëndësi për mua, pasi që është një garë në të cilën jam mësuar të luaj gjithmonë”.
“Kam qenë i pranishëm secilin vit në këtë garë të cilën e kam fituar njëherë dhe kam humbur tri finale. Është një kompeticion me të cilin jam i lidhur dhe është gara më e madhe e futbollit evropian”.
“Jam shumë i lumtur që kam kaluar karrierën time duke qenë konkurrues në Ligën e Kampionëve, duke realizuar ëndrra dhe fitore, dhe kuptohet duke përjetuar edhe humbje. Më vjen mirë që gjithmonë kam punuar me njerëzit të cilët i kanë pasur të njëjta qëllime dhe të njëjtin shpirt”.
“Unë dhe bashkëlojtarët e mi kemi shfaqur një entuziazëm për lojë. Kemi mësuar shumë. Do të qëndroj te Juventus së paku edhe dy vite dhe jam shumë i lumtur që e kam kaluar gjithë këtë kohë me këtë skuadër”, ka thënë “hajmalia” e Zonjës së Vjetër.
Del Piero ka qenë simboli i Juves që nga momenti i transferimit të tij nga Padova në vitin 1993, duke thyer të gjitha rekordet e paraqitjeve dhe është njëherit golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Juven.
Pinturricchio shpreson për një fitore kundër Mbretërve madrilenë, pasi që çdo rezultat tjetër do ta rrezikonte mundësinë e kualifikimit të Bianconerëve në fazat e radhës të Ligës së Kampionëve.