Portali zviceran 20 minuta online ka bërë një intervistë të gjatë me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili me zyrtarët e lartë të këtij vendi ka zbuluar në Cyrih një pllakë falënderimi për popullin zviceran. “Zvicra është model i mirë për stabilitet ekonomik dhe zhvillim. Mendojmë se Zvicra do të ishte partner i madhërishëm për forcimin e ekonomisë sonë. Shpresojmë se qeveritë tona do të pajtohen për marrëveshje konkrete në këtë drejtim”, thotë në intervistë presidenti Sejdiu.
Portali zviceran 20 minuta online fillimisht e ka pyetur presidentin Sejdiu se cilat janë arsyet që ka Kosova për të falënderuar Zvicrën:
“Ka shumë arsye për ta falënderuar Zvicrën. Ka kohë që Zvicra është shndërruar një atdhe të dytë për kosovarët, ndërsa ka ndihmuar luftën e Kosovës për liri dhe pavarësi. Një falënderim i veçantë i bëhet zonjës Calmy – Rey, e cila ka folur për nevojën e pavarësimit të Kosovës në një kohë kur të tjerët nuk e zinin në gojë këtë çështje. Po ashtu Zvicra ka qenë ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ne këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, ka thënë Sejdiu.
I pyetur për raportet e Kosovës me Zvicrën, presidenti Sejdiu është përgjigjur: “Mendoj se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Zvicra ka përmirësuar marrëdhëniet tona, mirëpo ne duhet që të forcojmë këto marrëdhënie edhe më shumë, sidomos në fushën e kulturës dhe ekonomisë”.
Ndërkaq, i pyetur se në cilën fushë Kosova dëshiron thellim të bashkëpunimit me Zvicrën, presidenti Sejdiu është përgjigjur se ka shumë lëmenj.
Zvicra, ka thënë ai, ka një përvojë të madhe si një shtet demokratik
“Zvicra është një model i mirë për stabilitet ekonomik dhe zhvillim. Mendojmë se Zvicra do të ishte një partner i madhërishëm për forcimin e ekonomisë sonë. Shpresojmë se qeveritë tona do të pajtohen për arritjen e marrëveshjeve konkrete në këtë drejtim”, ka thënë Sejdiu dhe ka shtuar se Zvicra ka një interesim të madh për mbështetjen e projekteve nga fusha e infrastrukturës, si janë rrugët dhe energjia.
Presidenti Sejdiu në intervistë ka përmendur gjithashtu kontributin që Zvicra po jep me ushtarët e saj në kuadër të KFOR-it për të ruajtur stabilitetin dhe paqen ne Kosovë.
“Zvicra me angazhimin e vet është një ambasadore e paqës dhe stabilitetit në rajon. Kosova tani po punon në ndërtimin e forcës së vetë të sigurisë, sipas standardeve të NATO-s, dhe, ushtria e Kosovës do të jetë një partner i mirë ndërkombëtar”, ka theksuar presidenti Sejdiu.
Presidenti Sejdiu në intervistë ka folur edhe për dëshirën e Kosovës për të pasur marrëdhënie paqësore dhe të qëndrueshme me fqinjët e saj, përfshirë këtu edhe Serbinë, ndërsa ka shtuar se ka nevojë edhe për një prani shumë të gjatë të KFOR-it në Kosovë për shkak të ruajtjes së stabilitetit në rajon.
“Populli i Kosovës nuk dëshiron konflikt me askënd. Ne duam fqinjësi të mirë me Maqedoninë, Malin e zi dhe vendet tjera që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Me Serbinë Kosova ende ka probleme. Serbia e mbështetur nga Rusia nuk mund të vazhdojë të ketë qëndrim hegjemonist kundrejt Kosovës dhe njëkohësisht të kërkojë anëtarësim në BE. Këto dy gjëra nuk shkojnë së bashku tha presidenti i Kosovës. Serbia nuk mund të jetë evropiane dhe njëkohësisht të strehojë kriminelët e luftës të ndjekur nga Tribunali ndërkombëtar. Me qëndrimin e saj përballë Kosovës, Serbia nuk mund të synojë gjithashtu Evropën. Pavarësisht nga kjo, ne do të trajtojmë të barabartë qytetarët serbë në Kosovë, ka përfunduar presidenti i Kosovës.
(përktheu: Fadil Gashi)