Firmoset marrëveshja mes Sali Berishës dhe Genc Pollos për shkrirjen e Partisë Demokratike dhe asaj Reformatore në një forcë të vetme. Në një takim të mbajtur paraditen e sotme në Tiranë të dy liderët nënshkruan marrëveshjen që konsiderohet hapi i parë i bashkimit të këtyre partive të djathta. "Bashkimi jonë bazohet në vizionin e përbashkët”, ka thënë kryetari i Partisë Demokratike, njëherit kryeministër i Shqipërisë, Sali Berisha.
Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe Partia Demokrate e Re Reformatore e zëvendëskryeministrit Genc Pollo firmosën sot marrëveshjen për shkrirjen në një forcë të vetme politike. Ky është zhvillimi më i rëndësishëm që shënon pushimin së funksionuari të një force politike në Shqipëri duke iu bashkangjitur një tjetre.
Marrëveshjen e nënshkruan sot kryetarët e të dy partive, Sali Berisha dhe Genc Pollo.
"Fazat e bashkëpunimit elektoral të aleancës parazgjedhore të 2005-ës, koalicioni politik qeveritar në tri vitet e tij, kanë dëshmuar një qëndrueshmëri shumë të fortë. Tani është më se normale që të konsiderojmë seriozisht fuzionimin dhe ta miratojmë atë. Ka qenë një propozim i kryetarit të Partisë Demokratike, ne jemi këtu për ta konfirmuar dhe për të hapur procesin e fuzionimit të të dy partive", ka thënë Genc Pollo.
Kryeministri Berisha theksoi se bashkimi i të dy partive ishte lajmi më i mirë që prisnin prej tyre partnerët evropianë.
"Bashkimi i këtyre dy forcave politike ka në bazë kontributet e rëndësishme dhe vizionin e përbashkët, vizion i cili në Shqipëri faktohet si një vizion i madh suksesi, faktohet me hapat e mëdha në drejtim të integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Ishte pikërisht ky lajmi më i madh që priste kryesia e Partisë Popullore Evropiane nga partitë tona", ka thënë Berisha.
Sipas marrëveshjes, zëvendëskryeministri Genc Pollo pritet të marrë postin e nënkryetarit të Partisë Demokratike. Partia Demokrate e Re Reformatore u shkëput në vitin 2000 nga Partia Demokratike dhe konkurroi e vetme në zgjedhjet pasardhëse qendrore dhe vendore. Të dy partitë u bënë pjesë e koalicionit qeveritar të qendrës së djathtë, që fitoi zgjedhjet e 3 korrikut 20005, për herë të parë që nga 26 maji 1996. D. Ndrenika/.