Mesfushori francez në radhët e Milanit, Mateju Flamini, ka pohuar se i gëzohet shumë ardhjes së Dejvid Bekamit në "San Siro", pasi e vlerëson shumë atë si profesionist dhe si person. Flamini ka pasur rastin ta njoh Bekamin edicionin e kaluar, kur ishte anëtar i Arsenalit. Gjatë asaj kohe, sa ishte pushimi në ligën amerikane të futbollit, Bekami ishte bashkuar me Arsenalin për t'u stërvitur.
"Bekami është një person fisnik dhe madje paksa i ndruajtur. Por, ai është një punëtor i madh dhe është gjë e shkëlqyeshme që Milani dëshiron ta ketë në radhët e veta një futbollist të tillë. Personalisht gëzohem shumë për ardhjen e tij dhe besoj se kështu do të reagojnë edhe futbollistët e tjerë të Milanit. Kam stërivur bashkë me të për tre muaj në Arsenal. Ai është një profesionist i vërtet dhe një person i mrekullueshëm si brenda ashtu edhe jashtë fushës së gjelbër", është shprehur Flamini. Është interesant fakti se mesfushori francez ka dhënë komplimente edhe për trajnerin e Interit, rivalin lokal të Milanit, Hose Murinjo. "Në Angli e kanë adhuruar, ngase ka fituar shumëçka me Çelzin. Mendoj se ai është një person të cilin ose e duani ose e urreni. Për mendimin tim ai është një trajner i madh", ka përfunduar Flamini.