Sulmuesi i Bajernit të Munihut, Luka Toni, nuk do të luajë as në ndeshjen e së mërkurës ndaj Aintrahtit të Frankfurtit, në kuadër të javës së 10-të të Bundesligës. Toni u lëndua në ndeshjen kundër ish-skuadrës së tij, Fiorentina në kuadër të Ligës së Kampionëve dhe për shkak të këtij lëndimi mungojë në ndeshjen e së shtunës ndaj Volfsburgut, të cilën skuadra e drejtuar nga Jurgen Klinsman e fitoi me rezultat 4:2, edhe pse ishte në disavantazh, 0:2.
"Ndeshja më Aintrahtin është e hershme për aktivizimin e Tonit. Atij i duhet më shumë kohë për t'u shëruar plotësisht nga lëndimi", ka theksuar trajneri i Bajernit, Jurgen Klinsman, duke e konfirmuar mungesën e sulmuesit italian në ndeshjen e së mërkurës. Kësisoj, pritet që Toni të jetë në dispozicion të Klinsmanit për ndeshjen e së shtunës ndaj Arminisë së Bielefeldit.