Të humbësh një disk të ngurtë të brendshëm është e tmerrshme. Nëse ke një të tillë në raft (ose që do ta rrasësh aty, pas zëvendësimit të komponentëve të sistemit me tjerë më të rinj), është e lehtë ta kthesh sërish në jetë diskun e vjetër. Në pak hapa, mund ta fusësh pajisjen në një kasë të lirë dhe të krijosh një disk të jashtëm tërësisht funksional, duke të bërë të mundur të marrësh me vete sasi të mëdha të dhënash.
Zgjidh kasën e duhur!
Përpara se të zgjedhësh kasën, merr parasysh dy faktorë kyçë: madhësinë dhe ndërfaqen. Madhësia është e thjeshtë: Nëse disku i përkiste një kompjuteri desktop, atëherë ka shumë mundësi të jetë një model 3.5 inç, megjithatë, nëse është prodhuar në fund të viteve 90, ka një mundësi të vogël që mund të jetë një model 5.25 inç. Ndërsa shumica e laptopëve përdorin disqe 2.5 inç. Këto tre kategori nuk përputhen me përmasat reale fizike të diskut (për shembull një model 3.5 inç është rreth 4 inç i gjerë), por duhet të njohësh kategorinë për të zgjedhur një kasë që përputhet. Më pas, përcakto ndërfaqen që përdor disku yt dhe kërko një kasë me një lidhje të brendshme që përputhet. Nëse disku ka më shumë se dy vjet që është prodhuar, ka shumë mundësi që përdor ndërfaqësin IDE. (Kërko dy rreshta kunjash, 40 në total, në pjesën e pasme të konektorit të të dhënave). Tregohu i kujdesshëm me disqet SCSI (disa kanë konektorë me 50 kunja), pasi nuk janë të përshtatshëm për një përdorim ekonomik. Shumë prej disqeve më të rinj shfrytëzojnë ndërfaqësin Serial ATA (SATA), i cili është një konektor të dhënash shumë më i vogël, më i sheshtë dhe pa kunja.
Disqet më të vjetër IDE lidhen përmes dy rreshtave me kunja (lart). Shumë prej disqeve të rinj shfrytëzojnë SATA-n, cka përdor një konektor shumë më të vogël (poshtë)
Pas kësaj duhet t’i hedhësh një sy ndërfaqes së jashtme të kasës, pra të shohësh se si do të lidhet kutia me kompjuterin. Shumica e kasave suportojnë USB 2.0, madje disa edhe Firewire-in. Nëse disku yt përdor si ndërfaqës të brendshëm SATA, duhet të kërkosh një ndërfaqës të jashtëm SATA (eSATA), çka garanton transferim të dhënash me shpejtësi maksimale krahasuar me USB-në ose Firewire-n. Megjithatë janë të paktë kompjuterat që kanë porta eSATA. Një zgjidhje do të ishte instalimi në kompjuter i një karte për ndërfaqe SATA, për të cilën është e nevojshme që kompjuteri yt të ketë një zgavër PCI bosh, ose, në rastin e laptopit, një zgavër për kartë Card-Bus PC. (Planifiko të shpenzosh rreth 3 – 3.5 mijë lekë për një kartë PCI SATA dhe rreth 4.5 – 5 mijë lekë për kartën ekuivalente PC). Në rast se desktopi yt ka porta të brendshme SATA në kartën mëmë, mund të instalosh një kabllo të lirë, që e zgjat portën deri në pjesën e pasme të kompjuterit, duke krijuar në këtë mënyrë një ndërfaqës eSATA. (Disa kasa eSATA e përfshijnë këtë komponent harduerik).
Për të shndërruar një disk të brëndshëm IDE 3,5 inç në një pajisje të jashtme, kemi përdorur kasën USB, X-Craft 350, prodhuar nga ooler aster.
Veçori tjetër për t’u kërkuar në një kasë është edhe ventilatori i trupëzuar. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm, sidomos kur e mbani në punë diskun për intervale të gjatë kohe. Elemente më pak të domosdoshëm janë fortësia, drita e vogël treguese dhe disenjoja. Pastaj, ka edhe modele të tjerë që ofrojnë luksin e panevojshëm për rastin që ne po trajtojmë.
Për sa i përket çmimit, shumica e kasave të disqeve të ngurtë kushtojnë nga 1 deri në 10 mijë lekë, në varësi të madhësisë, ndërfaqes, konstruktit, veçorive dhe opcioneve shtesë. Në tregun tone një kasë e kënaqshme kushton rreth 3 mijë lekë.
Këshillë: Nëse doni ta hapni vetëm përkohësisht një disk të ngurtë të vjetër, hidhini një sy USB 2.0 Universal Drive Adapter, prodhuar nga Newer Tech dhe që kushton rreth 25 dollarë (
www.newerthc.com ). Ky është një kabëll/fish që lidh diskun e brendshëm të zhveshur me një port USB, pa pasur nevojë për kasën. Ai përputhet me të gjitha përmasat e disqeve dhe të dy llojet e ndërfaqeve IDE dhe SATA, dhe vërtetë që ia vlen për një kopjim urgjent të dhënash me qëllim ruajtjen e tyre në një pajisje tjetër.
Fillimisht, lidh kabllon e të dhënave dhe pastaj fut në vendin e vet fishën e energjisë elektrike.
Instalo diskun!
Nëse je i shkathët me kaçavidën, atëherë instalimi i diskut s’duhet të përbëjë ndonjë problem. Përpara se të fillosh, nëse disku është IDE, sigurohu që opcioni i tij Master/Slave/Cable Select është konfiguruar siç duhet. Kërko një rrjetë të vogël kunjash në anën e pasme. Zakonisht, dy kunja duhet të jenë të lidhura nga një copë e vogël plastike (jumper). Udhëzuesi i kasës duhet të shpjegojë se si bëhet konfigurimi dhe, bazuar në përvojën tone, jumper-i zakonisht duhet graduar te Master. Hidhi një sy manualit të diskut ose faqes ueb të prodhuesit, nëse nuk e ke të qartë mënyrën e përdorimit.
Me ta bërë këtë, thjesht hape kasën e diskut, lidhe diskun me ndërfaqësin e brendshëm dhe me fishin e rrymës elektrike dhe siguroje duke shtrënguar vidat. Instruksionet e kasës duhet të shpjegojnë çdo moment të procesit, por procedura ndryshon paksa nga njëri model në tjetrin.
Këshillë: Mos u nxito! Nëse kunjat e ndërfaqësit përthyhen ose këputen, disku mund të dalë jashtë përdorimit.
Fute në prize!
Erdhi momenti që ta lidhësh kasën e diskut me kompjuterin. Fillimisht, fut në prizë spinën e kasës (gjithmonë nëse e ka një të tillë, pasi shumë prej disqeve 2.5 inç e marrin energjinë nga ndërfaqësi). Pasi e fut në prizë, duhet të dëgjosh një zhurmë që shkaktohet nga rrotullimi i diskut. Tani lidhe kasën me portën USB, FireWire ose eSATA të kompjuterit. Nëse përdor Windows XP apo Vista, sistemi duhet ta gjejë automatikisht diskun. Windows 98 dhe Windows Me kanë nevojë për një CD, i cili vjen i bashkangjitur me kasën.
Diskun e ri mund t'a formatosh nga dritarja Computer Management (Menaxhimi i kompjuterit) në Windows XP. Sigurohu që disku që po formatohet është pikërisht ai që sapo lidhe, dhe jo ndonjë disk apo particion ekzistues.
Formatoje dhe ndaje diskun në particione!
Përpara se të fillosh ta përdorësh diskun, ndoshta të duhet ta formatosh. Një disk i ri padiskutim që ka nevojë për formatim, ndërsa një i vjetër mund të jetë gati për përdorim. E vetmja mënyrë për ta kuptuar është të lidhësh kasën me kompjuterin dhe të kontrollosh nëse Windows-i e njeh dhe të lejon ta hapësh diskun. Nëse Windows-i nuk i cakton automatikisht një shkronjë diskut, ose nuk të lejon ta hapësh, atëherë është i nevojshëm një riformatim.
Në Windows XP, kliko me të djathtën mbi My Computer dhe zgjidh Manage. (Ose ndryshe: shko te Control Panel/Administrative Tools/Computer Management). Nën seksionin Storage, kliko Disk Management dhe shiko panelin në të djathtë të ekranit, ku duhet të shfaqet disku. Duhet të jetë ai që ka përbri një shirit të zi. Kliko me butonin e djathtë të miut mbi këtë shirit dhe zgjidh New Partition. Si pasojë, do të hapet udhëzuesi i particionit të ri, i cili do të të udhëheqë përmes procesit të formatimit dhe të ndarjes në pariticone të diskut të ri. Kjo procedurë mund të aplikohet edhe në Windows Vista, pasi të kesh zgjedhur opcionin Classic View (Pamje klasike) brenda panelit të kontrollit. Përndryshe, shko te Control Panel/”Create and format hard disk partititons” (Krijo dhe formato particione të diskut të ngurtë).
Me të filluar formatimi, shko futi një çap bukë, pasi procesi mund të zgjasë një orë ose më shumë, në varësi të kapacitetit të diskut.
Përdore tani!
Pasi të ketë përfunduar formatimi, do të kesh ndër duar një disk të ngurtë fizikisht të jashtëm, por që operon si një i brendshëm. Testoje duke kopjuar skedarë nga kompjuteri drejt diskut dhe anasjelltas.
Siç mund ta kesh vënë re, kur ishte disk i brendshëm, kapaciteti i tij efektiv ishte paksa më i vogël nga sa specifikohej nga prodhuesi (për shembull një disk 320 GB, zakonisht tregon një kapacitet 300 GB). Ky është një skenar i zakonshëm që shkaktohet nga mënyrat e matjes së kapacitetit të diskut. S’ke ç’i bën, por duhet të kuptosh se nuk është ndonjë defekt teknik.
Këshillë: Nëse e shkëput diskun në momentin kur ai shkruan ose lexon, mund ta dëmtosh dhe të humbësh të dhënat. Për të qenë i sigurt, kliko dy herë mbi ikonën Safely Remove Hardware (në tabakanë e sistemit), zgjidh diskun tënd të jashtëm, kliko Stop dhe në fund OK për ta konfirmuar. Një mesazh të tregon se kur është momenti i duhur për ta shkëputur.