Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, a ka cilësuar nënshkrimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga presidenti i SHBA-ve, George Bush, si të arritur historike për Shqipërinë.
Në një mesazh dërguar presidentit shqiptar, Bamir Topi, dhe kryeministrit Sali Berisha, Thaçi i ka përgëzuar ata në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin e tij personal – “me përgëzimet më të thella për këtë të eveniment, duke besuar se Republika e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s së shpejti do të bëhet pjesë edhe e Bashkimit Evropian”.
“Politika e shtetit shqiptar vazhdon të jetë faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Duke kultivuar filozofinë politike të fqinjësisë së mirë, thellimin e reformave të gjithanshme dhe përmbushjen e standardeve të larta demokratike Shqipëria po hap perspektivën e saj të sigurt evropiane”, ka vlerësuar Thaçi.
Rezultatet e Shqipërisë, sipas tij, janë inkurajuese edhe për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. “Vizioni i institucioneve të Kosovës, i përkrahur nga miqtë dhe bashkësia ndërkombëtare, është vizion i integrimit në strukturat euroatlantike”, ka përfunduar kryeministri Thaçi.