Gjendja e sigurisë në Mitrovicë ka qenë e qetë edhe gjatë javës që kaloi dhe pa ndonjë incident serioz, u vlerësua të hënën në takimin e rregullt të Komiteti për Siguri që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Kryetari i Komunës, Bajram Rexhepi tha se incidentet e vetme janë shënuar në veri të komunës, ku në fshatin Rudare janë sulmuar me gurë tri vetura me targa KS. Ai tha se pronarët e këtyre automjeteve dyshohet se kanë shkuar atje për të blerë derivate të kontrabanduara që shiten atje.
Ndërsa komandanti i stacionit jugor të policisë së Kosovës, kap. Bashkim Spahiu, tha se edhe në jug të qytetit gjendja ka qenë e qetë dhe pa ndonjë incident serioz që do të reflektohej në gjendjen e përgjithshme të sigurisë.
Përfaqësuesit e KFOR-it francez njoftuan se janë duke u bërë përgatitjet e fundit për fillimin e largimit të telave gjemborë para hyrjes së qendrës së kulturës "Rexhep Mitrovica". Sipas tyre, kanë mbetur të bëhen edhe disa analiza teknike dhe mandej të fillohet me largimin e atyre gjemborëve.
Në takimin e Komitetit për Siguri përfaqësuesit e batalionit danez të KFOR it, njoftuan se brenda disa ditësh do të hiqet edhe postblloku i ngritur nga KFOR i në mes të fshatrave Çabër e Zupç të Zubin Potokut.
Përfaqësuesi i KFOR-it të zonës së përgjegjësisë së batalionit danez, Andris Sprivul, tha se ky postbllok do të hiqet për shkak se gjendja e sigurisë është stabile. Megjithatë ai tha se KFOR i do të jetë i pranishëm në atë pjesë me patrulla të shpeshta të cilat, të cilat nuk do të lejojnë vakum sa i përket sigurisë.
Ai tha se heqja e kësaj pike statike krijon mundësi që batalioni danez i KFOR it nëpërmjet patrullave të jetë më elastik dhe të mbuloj pa problem gjithë zonën e vetë të përgjegjësisë. /qik/