Jemi
gjithsej 4 milionë e 263 mijë banorë. Shifra është deklaruar zyrtarisht
sot nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinat Poni, në Komisionin e
posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore. Sipas tij, numri i
shtetasve shqiptarë, që ekzistojnë të regjistruar në regjistrat e
gjendjes civile ka dalë nga kalimi i të dhënave nga regjistrat e zyrave
të gjendjes civile në të gjithë vendin, në regjistrin elektronik të
popullsisë. Gjithashtu nga të dhënat e publikuara nga Poni vihet re
përqendrimi i popullsisë kryesisht në rrethin e Tiranës, e cila ka 987
mijë banorë, e ndjekur nga Fieri me 485 mijë dhe Elbasani me 419 mijë
banorë.
Mbledhja
e komisionit të Reformës Zgjedhore u përqendrua në mundësitë që ka
shteti ynë për të pajisur të gjithë shqiptarët me të drejtë vote (3
milionë e 200 mijë) me karta identiteti para zgjedhjeve të ardhshme
parlamentare. Një problem që kërkon zgjidhje është edhe ai i
emigrantëve, pajisja e të cilëve me karta identiteti duket një mision i
pamundur për këto zgjedhje. Megjithatë zëvendësministri i Brendshëm,
Ferdinant Poni u shpreh se qeveria shqiptare është duke menduar masa
detyruese për të gjithë emigrantët që të pajisen me karta identiteti.
Një masë e mundshme, sipas Ponit do të jetë që gjithë emigrantëve që
gjatë këtyre muajve do të hyjnë në Shqipëri, nuk do të lejohen të dalin
prej kufijve tanë shtetërorë nëse nuk bëjnë aplikimin për të marrë
kartën e identitetit. Një kartë identiteti do të kushtojë 1200 lekë të
reja, ndërsa një pasaportë biometrike do të kushtojë 5 mijë lekë të
reja.