|
|
|
| Përhapja e Fesë Islame | |
| | Autori | Mesazh |
---|
The.Timmi ..Administrator..
Numri i postimeve : 419 Age : 31 Vendodhja : www.Alba-oNe.tK Registration date : 25/10/2008
| Titulli: Përhapja e Fesë Islame Sat Oct 25, 2008 1:40 pm | |
| NDRYSHIMET NË STRUKTURËN FETARE TË POPULLIT SHQIPTAR. PËRHAPJA E FESË ISLAME(SHEK. XV - XIX)
Depërtimi i islamit në tokat shqiptare
Vendosja e sundimit osman në tokat shqiptare u shoqërua me ndryshime të thella jo vetëm në fushat politike, shoqërore dhe ekonomike, por edhe në strukturën fetare të popullsisë. Përkatësia e krishterë e shqiptarëve (pjesërisht në ritin ortodoks dhe pjesërisht në atë katolik) filloi të cenohej në dobi të përhapjes së islamit, fe zyrtare e shtetit osman. Kontaktet e shqiptarëve me fenë islame janë më të hershme sesa pushtimi osman i tokave shqiptare, përderisa që në kohët paraosmane këto toka janë shkelur herë pas here nga tregtarë, forca ushtarake apo përfaqësues të tjerë të botës orientale-islamike. Megjithatë, fillimet e islamizimit të popullsisë shqiptare në trajtën e një procesi historik, kohësisht janë të lidhura me fillimet e vendosjes së sundimit osman në Shqipëri. Pjesa e sipërme e piramidës shoqërore, fisnikëria shqiptare, ishte e para që provoi dukurinë e kalimit në islamizëm. Që nga gjysma e dytë e shek. XIV, kur inkursionet osmane drejt Ballkanit dhe Shqipërisë sa vinin e dendësoheshin, princat shqiptarë u shtrënguan, kush më herët e kush më vonë, të pranonin suzerenitetin e sulltanit dhe, si vasalë të tij, të dërgonin djemtë e vet si pengje pranë oborrit osman. Këtu, pasi ktheheshin në myslimanë dhe merrnin edukatën përkatëse, ata ngarkoheshin me shërbime të caktuara ushtarake e civile, duke arritur në shumë raste edhe në funksione të larta, si sanxhakbejlerë, subashë etj. Ndër pinjollët e islamizuar të familjeve feudale shqiptare të dërguar pranë oborrit të sulltanit si içoglanë ishin edhe Gjergj Kastrioti (i islamizuar me emrin Skënder), një nga djemtë e Gjon Kastriotit, Jakup Beu, i biri i Teodor Muzakës (në fund të viteve 30 të shek. XV qeveritar i Sanxhakut Shqiptar), i vëllai, Kasem Pasha, një nga komandantët më të shquar të Muratit II dhe të Mehmetit II; dy djemtë e Gjin Zenebishit (njëri prej tyre, i quajtur Hasan Beu, në vitin 1455 mbante funksionin e subashit të Tetovës) etj. Islamizimi i një pjese të elitës feudale shqiptare që në dhjetëvjeçarët e parë të sundimit osman formoi kështu kontingjentin fillestar të popullsisë së islamizuar shqiptare. Dinamika e procesit të islamizimit në hapësirën shqiptare u përshpejtua me vendosjen pas vitit 1402 të një detyrimi të veçantë të quajtur devshirme. Sipas këtij detyrimi, familjet e krishtera të vendeve nën sundimin osman, periodikisht duhet të jepnin djem (devshirë) për të mbushur repartet e jeniçerëve (axhemiogllanë) ose për nevoja të tjera të pallatit sulltanor (içogllanë). Shqipëria ishte një ndër vendet e pushtuara, ku detyrimi i devshirmesë u zbatua me rigorozitetin më të madh. Detyra e mbledhjes së djemve të krishterë dhe e dërgimit të tyre në Stamboll i ngarkohej njërit prej funksionarëve të korpusit të jeniçerëve, i cili, i pajisur me ferman të sulltanit dhe i shoqëruar edhe nga një sekretar, shkonte në të gjitha krahinat, të cilat fermani në fjalë i ngarkonte me detyrimin e devshirmesë. Në bashkëpunim me kryepleqtë (koxhabashët) i dërguari i Stambollit mblidhte kryefamiljarët e çdo fshati dhe u kërkonte të sillnin pranë tij të gjithë djemtë e moshës 12-15 vjeç. Mes këtyre djemve zgjidheshin më të mirët përsa i përket paraqitjes fizike dhe aftësisë për të përballuar sakrificat. Zakonisht merrej një djalë për çdo familje të krishterë, qoftë kur familjet kishin disa, qoftë kur kishin edhe një djalë të vetëm. Djemtë e përzgjedhur, pasi visheshin me një livre cohe të gjatë deri në tokë dhe u vendosej një kësulë me pupël në kokë, dërgoheshin në kryeqytetin e perandorisë. Ditën që arrinin këtu, shpërndaheshin dy nga dy nëpër familjet e atjeshme dhe pastaj, të prirë prej agait (komandantit) të jeniçerëve, kalonin për shikim përpara sulltanit, i cili më të përshtatshmit i mbante në sarajet e veta, ndërsa një pjesë tjetër ua kalonte për stërvitje instruktorëve të posaçëm. Teprica u jepej familjeve osmane në Rumeli dhe Anadoll, ku mësonin turqishten, kryenin punë të ndryshme bujqësore etj. Edhe këta të fundit, sipas nevojave të pallatit të sulltanit dhe të korpusit të jeniçerëve, nëse kishin mësuar mirë gjuhën, brenda 2-3 vjetësh mund të merreshin nga familjet për t’u përfshirë me shërbim pranë institucioneve të mësipërme. Një sasi jo e vogël djemsh nga familjet e krishtera, pasi ktheheshin në myslimanë, dërgoheshin me shërbim edhe pranë pallateve të sanxhakbejlerëve ose bejlerbejlerëve. Këta të fundit quheshin gulamë dhe shfaqen dendur në defterët osmanë të shek. XV si zotërues timaresh. Praktika e devshirmesë, e cila vijoi deri nga fundi i shek. XVII, luajti rolin kryesor në krijimin e shtresës ushtarake shqiptare si pjesë përbërëse e klasës ushtarake osmane. Elementët e islamizuar nga trevat shqiptare, të cilët u edukuan pranë pallatit sulltanor ose pranë sarajeve të qeveritarëve osmanë të provincave, përgjithësisht, ose mbushën korpusin e jeniçerëve (ushtrisë osmane), ose formuan aparatin qeverisës të shtetit osman në Shqipëri. Duke qenë e inkuadruar në hierarkinë osmane, kjo pjesë e popullsisë shqiptare u bë zotëruese e timareve, zeameteve dhe haseve, dhe luajti kështu një rol të madh për shtrirjen e islamizmit edhe në pjesën tjetër të popullsisë. Një pjesë e fisnikërisë shqiptare deri në fillimet e shek. XVI mundi ta ruante identitetin e vet fetar të krishterë, edhe pse ishte zotëruese e timareve. Zotëruesit e krishterë të timareve të quajtur ndryshe “timariotë të krishterë” ekzistuan vetëm përkohësisht si kategori shoqërore. Lejimi i ekzistencës së përkohshme të timariotëve të krishterë nga ana e shtetit osman ishte jo vetëm shenjë e demonstrimit të një farë tolerance fetare, por edhe një rrugë për integrimin gradual në sistemin e timarit të kësaj kategorie shoqërore, me qëllim islamizimin dhe osmanizimin e ardhshëm të saj. Burimet dokumentare të shek. XV shënojnë mjaft raste të kalimit të timareve nga duart e timariotëve të krishterë në zotërim të pasardhësve të tyre të islamizuar. Timariorët e krishterë formonin një pakicë në krahasim me timariotët shqiptarë të islamizuar. Kjo duket qartë jo vetëm në sasinë e timareve që zotëronin, por edhe në sasinë e taksave që ata merrnin nga këto timare. Kështu, p.sh., në Sanxhakun Shqiptar, në vitet 1431-1432, nga 335 timare që numëroheshin gjithsej, vetëm 56 syresh u përkisnin zotëruesve të krishterë, ndërsa nga 107 zotërues timaresh të regjistruar më 1485 në sanxhakun e Shkodrës, vetëm 16 syresh ishin të krishterë. Megjithatë, kishte krahina ku gjatë shek. XV numri i timariotëve të krishterë ishte relativisht i madh. Në viset e Krujës dhe të Dibrës në vitin 1467, nga 40 zotërues timaresh gjithsej, vetëm 16 syresh ishin myslimanë, ndërsa pjesa tjetër ishin timariotë të krishterë. Përgjithësisht procesi i kalimit në islamizëm të timariotëve të krishterë nuk zgjati më shumë se dy breza që prej momentit të përfshirjes së tyre në sistemin e timarit, gjë që flet për atë se fisnikëria shqiptare u islamizua relativisht shpejt. Me shuarjen e kategorisë së timariotëve të krishterë në fillimet e shek. XVI ishte arritur islamizimi tërësor i klasës feudale shqiptare. Edhe përfaqësuesit më të shquar të familjeve feudale shqiptare të Arianitëve, Dukagjinëve, Muzakajve etj., pas shtypjes së qëndresës antiosmane të shek. XV ose u larguan nga Shqipëria, ose u bënë pjesë e popullsisë së islamizuar, duke krijuar kështu bazën e nevojshme për fillimin e depërtimit masiv të islamit në shtresat e tjera të popullsisë shqiptare. Kjo lidhej jo me peshën numerike që feudalët zinin në tërësinë e shoqërisë shqiptare të kohës, por me ndikimin e fuqishëm shoqëror dhe politik që ata kishin në mesin e popullsisë. Depërtimi në shkallë të gjerë i fesë islame në radhët e popullit shqiptar gjeti shprehje pikësëpari në qytete. Me vendosjen e sundimit osman, qytetet shqiptare filluan të funksionojnë si qendra administrative, ekonomike dhe kulturore të sistemit të ri politik. Në përshtatje me rolin e tyre ekonomik e shoqëror, në qytete u përqendrua jo vetëm shumica e personelit administrativ e ushtarak osman, por edhe kleri islamik bashkë me institucionet e kultit që u shumuan me shpejtësi. | |
| | | The.Timmi ..Administrator..
Numri i postimeve : 419 Age : 31 Vendodhja : www.Alba-oNe.tK Registration date : 25/10/2008
| Titulli: Re: Përhapja e Fesë Islame Sat Oct 25, 2008 1:40 pm | |
| Qytetet kryesore shqiptare, si Elbasani, Berati, Prizreni, Shkodra, Vuçiterna (sot: Vushtria) etj., u bënë seli e dinjitarëve kryesorë të pushtetit provincial osman, si e sanxhakbejlerëve, allajbejlerëve, kadilerëve etj. Qytete të tjera më të vogla u shndërruan në qendra të kazave apo të nahijeve. Nga ana tjetër, degët kryesore të veprimtarisë ekonomike në qytete, zejtaria dhe tregtia, filluan të modelohen në përputhje me kërkesat e ushtrisë dhe të funksionarëve të pushtetit osman në provinca dhe në qendër. Në këto rrethana, fillimi i rimëkëmbjes ekonomike dhe shoqërore të qyteteve shqiptare në fund të shek. XV dhe në fillim të shek. XVI përkon në kohë edhe me fillimet e depërtimit të islamit në masën e gjerë të popullsisë qytetare. Ndërsa për mjaft qendra qytetare fillimet e këtij procesi vërehen vetëm në vitet 20-30 të shek. XVI, për disa të tjera duket se feja e re ka nisur të “zbresë” nga parësia e islamizuar në masën e popullsisë qytetare të krishterë, të paktën që nga vitet 80 të shek. XV. Kështu, p.sh., qytetet e Vlorës, Gjirokastrës dhe Beratit ende në fillim të shek. XVI nuk kishin të regjistruar asnjë shtëpi myslimane (këtu përjashtohet klasa ushtarako-administrative dhe klerikët myslimanë, të cilët nuk regjistroheshin në defterët osmanë, sepse nuk bënin pjesë në popullsinë taksapaguese). Ndryshe nga qytetet e lartpërmendura, që në vitin 1485 qyteti i Shkodrës numëronte 26 shtëpi myslimane, ndërsa qyteti i Pejës 23 syresh. Për më tej, në qytetin e Vuçiternës më 1487 ekzistonte bashkësia e myslimanëve me 33 shtëpi nga 107 shtëpi që kishte gjithsej qyteti; po këtë vit, në qytetin e Prishtinës numëroheshin 51 shtëpi të islamizuara nga 299 shtëpi që kishte gjithsej qyteti; ndërsa qyteti i Tetovës që më 1468, kishte të regjistruara 41 shtëpi të kthyera në islame nga 264 shtëpi që numëronte gjithsej ky qytet. Islamizimi i popullsisë së qyteteve shqiptare kryhej përmes dy rrugëve: e para, nëpërmjet kalimit në islam të vetë popullsisë banuese nëpër qytete dhe, e dyta, përmes lëvizjes mekanike të popullsisë fshatare drejt qyteteve. Veçanërisht për disa qytete rruga e dytë, d.m.th., ardhja në qytet e elementëve të sapoislamizuar nga rrethinat fshatare, evidentohet qartë në dokumentacionin historik të kohës. Gjallërimi i veprimtarisë ekonomike në qytete krijoi mundësi për ardhjen dhe punësimin këtu të zejtarëve të specialiteteve të ndryshme nga fshatrat përreth. Mirëpo për personat e ardhur nga fshati përqafimi paraprak i islamit donte të thoshte lehtësim i hyrjes së tyre në qytet, pas së cilës ata fitonin edhe statusin e qytetarit (shehirliut). Shembullin më të qartë të shtimit të popullsisë qytetare me kontingjente njerëzish të islamizuar me prejardhje nga fshati, rrjedhimisht të përparimit të procesit të islamizimit në qytetet shqiptare, e japin qyteti i Beratit dhe ai i Elbasanit. Në vitin 1583 në të parin janë regjistruar 185 zejtarë myslimanë të ardhur nga fshatra të ndryshme, si Fratar, Gjerbës, Tozhar, Dobronik, Gjeqar etj., ndërsa në Elbasan janë regjistruar 39 zejtarë të tillë (hajmanagân). Edhe pse zhvendosja e mjaft elementëve zejtarë nga rrethinat fshatare drejt qyteteve luajti rol jo të paktë në formimin e popullsisë myslimane të qyteteve, vendin kryesor në këtë proces e zinte islamizimi gradual i vetë popullsisë qytetare. Këtë e tregon më së miri shtesa natyrore e popullsisë së krishterë, e cila sa vinte e pakësohej, pasi një pjesë e rëndësishme e kësaj popullsie del të jetë kthyer në besimin islam. Një karakteristikë e dukshme e pamjes fetare të popullsisë qytetare gjatë shek. XVI-XVII ishte edhe fakti se zejtarët formonin përqindjen kryesore të popullsisë së islamizuar, gjë që flet për rolin e rëndësishëm të zejtarisë në jetën ekonomike të qyteteve shqiptare pas vendosjes së sundimit osman. Kjo pjesë e popullsisë dallohet qartë në regjistrimet osmane, sepse pas ose përpara emrave të banorëve myslimanë të regjistruar, shënohen emrat e zejeve përkatëse. Pavarësisht nga dallimet që vihen re në intensitetin e islamizimit të popullsisë së qyteteve shqiptare, diagrama e këtij procesi gjatë shek. XVI ishte në ngjitje të pandërprerë. Në dhjetëvjeçarët e fundit të këtij shekulli një pjesë e rëndësishme e kësaj popullsie kishte kaluar në islamizëm. Feja e re kishte shënuar sukses të madh në qytete të tilla të rëndësishme, si Shkodra (në këtë kohë ishte islamizuar 100%), Peja (90%), Vuçiterna (80%), Elbasani (79%), Tetova (71%), Kërçova (65,5%), Kruja (63%), Berati dhe Prishtina (me nga 60%), Prizreni (55,9%), Dibra (51%), Tepelena (50%), Përmeti (41%), Novobërda (37%), Struga (24%), Vlora (23%), Korça dhe Trepça (me nga 21%), Janieva (14%), Delvina (4%) etj. Nga shqyrtimi i ritmeve të procesit të islamizimit të popullsisë qytetare gjatë shek. XV-XVI, del se dinamika e këtij procesi paraqitej veçanërisht e shpejtë në qytetet e Kosovës. Një gjë e tillë shpjegohet, midis të tjerash, me rrethanat politike të veçanta që ekzistonin në Kosovë në momentet e vendosjes së sundimit osman. Popullsia shqiptare e Kosovës ndodhej kësaj kohe nën sundimin politik të shtetit serb, ndërsa pushtetin fetar këtu e ushtronte kryesisht Patrikana Serbe e Pejës. Për rrjedhojë, likuidimi i sundimit serb dhe dobësimi i pozitave të kishës serbe me vendosjen e sundimit osman, u dha rast banorëve të krahinës që t’i shpëtonin ndikimit të kishës së lartpërmendur, duke përqafuar fenë islame si një nga mjetet e shprehjes së dallimit të tyre etnik nga serbët. Nga ana tjetër, shkalla e lartë e islamizimit të hershëm (shek. XV-XVI) të qyteteve shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni (për këtë të fundit mund të përmenden Tetova dhe Kërçova) është fakt mjaft domethënës për të treguar pavërtetësinë e tezës së historiografisë serbe dhe joserbe, sipas së cilës rajoni i Kosovës dhe ai i Maqedonisë Perëndimore u janë nënshtruar ndryshimeve etnofetare në dobi të “shqiptarizimit” dhe “islamizimit”, si pasojë e “shpërnguljeve” të popullsisë sllave (desllavizimit) pas ngjarjeve të fundit të shek. XVII dhe dyndjes drejt këtyre rajoneve të popullsisë shqiptare të malësive veriore e lindore. Ndërsa në pjesën qytetare të popullsisë shqiptare feja islame u përhap me ritme relativisht të shpejta, veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shek. XVI, dukuria e apostazisë (lëshimit të fesë) ende kësaj kohe nuk ishte karakteristike për popullsinë fshatare. Dallimet e mëdha midis popullsisë qytetare dhe asaj fshatare përsa i përket shkallës së islamizimit, duken në faktin se në fundin e shek. XVI përqindja e islamizimit të së parës kapte shifrën 49% në një kohë që e dyta ishte islamizuar vetëm në rreth 17% të saj. Megjithatë, kalimi tërësisht në islam i parisë shqiptare, konsolidimi i pozitave të fesë islame në qytete nëpërmjet depërtimit masiv të saj në radhët e popullsisë qytetare, ishin premisa të fuqishme për shpejtimin e ritmeve të islamizimit edhe në pjesën fshatare të popullsisë. Është për këtë arsye që, duke filluar nga shek. XVII, burimet historike flasin për braktisje masive të fesë së krishterë dhe përqafimit të islamit edhe nga popullsia fshatare. Gjatë kësaj kohe fshatra të tëra kaluan në fenë islame. Në mjaft fshatra të tjera vërehet rënie e dukshme në numrin e shtëpive të krishtera nga njëra anë, dhe shtim i shtëpive myslimane, nga ana tjetër. Kështu, p.sh., në vilajetin e Prishtinës numri i shtëpive të krishtera në vitin 1688 ishte pakësuar 49% në krahasim me numrin e shtëpive të regjistruara në vitet 1551-1555, ndërsa në vilajetin e Novobërdës kjo shifër shkonte deri në 73%. Vetëm brenda viteve 1620-1624 në 200 fshatra të rrethit të Prizrenit ishin islamizuar 3 000 banorë. | |
| | | The.Timmi ..Administrator..
Numri i postimeve : 419 Age : 31 Vendodhja : www.Alba-oNe.tK Registration date : 25/10/2008
| Titulli: Re: Përhapja e Fesë Islame Sat Oct 25, 2008 1:41 pm | |
| Në vitin 1624 në tërë dioqezën katolike të Tivarit nuk numëroheshin më shumë se 2 000 banorë të besimit katolik, ndërkohë që në qytetin me të njëjtin emër, kishte mbetur vetëm një kishë e ritit të lartpërmendur, e cila mundi të shërbente si e tillë deri në fund të shek. XVII. Feja islame kishte bërë për vete më shumë besimtarë meshkuj sesa femra. Aty nga mesi i shek.XVII ky tipar i procesit të islamizimit dukej mjaft qartë, po të mbahet parasysh se shumicën e bashkësisë së krishterë shqiptare në këtë kohë e formonin femrat, ngaqë popullsia mashkullore kishte përqafuar më masivisht fenë e re. Sipas një relacioni të kreut të Arkipeshkvisë së Tivarit V. Zmajeviç, përpiluar më 1703, procesi i islamizimit në dioqezat e përfshira brenda juridiksionit të Arkipeshkvisë së lartpërmendur (Shkodra, Pulti, Zadrima, Lezha dhe Durrësi) kishte arritur në kuota të konsiderueshme. Kështu në 109 fshatra të dioqezës së Shkodrës mesatarisht ishte islamizuar 51% e popullsisë, në 52 fshatra të Zadrimës (Sapës) 20%, në 69 fshatra të Lezhës 11%, ndërsa në 114 fshatra të Durrësit 49%. Në vitet 20 të shek. XVIII, në nahijet dhe në kazatë e Shqipërisë së Mesme popullsia, pothuajse tërësisht, kishte përqafuar besimin islam. Gjatë shek. XVIII edhe popullsia e krahinave të Shqipërisë Jugore u fut në rrugën e islamizimit masiv. Në vitet 1735-1740 pjesa dërrmuese e banorëve të Vlorës, Beratit dhe të krahinave përreth lëshoi fenë ortodokse dhe kaloi në fenë islame. Vrojtimi i dinamikës së procesit të islamizimit tregon se rreth mesit të shek. XVIII struktura e re fetare e popullit shqiptar, d.m.th. përpjesëtimet sasiore midis popullsisë së krishterë dhe asaj të islamizuar, kishin arritur pak a shumë në nivele të qëndrueshme, të cilat, me ndryshime të pakta, do të ruhen deri në ditët tona. Kalimet e mëvonshme në islam, nga ana numerike nuk ishin të asaj shkalle sa të kishin ndikime të ndjeshme në strukturën konfesionale të popullit shqiptar. Pranimi i islamit nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së krishtere shqiptare ishte një proces që nuk u zhvillua gjithnjë e gjithkund pa reagime. Një nga format e qëndresës ndaj depërtimit të fesë së re ishte krishterimi i fshehtë (kriptokristianizmi). Krishterimi i fshehtë përfaqësonte një gjendje kalimtare dybesimi, përmes së cilës individë të krishterë e pranonin islamin vetëm formalisht, me qëllim që të shmangnin pagesën e taksës së xhizjes (haraçit) dhe të gëzonin barazinë me popullsinë myslimane në jetën shoqërore. Ndërsa në publik këta individë paraqiteshin si myslimanë që mbanin emra të sferës islamike, shkonin në xhami etj., në familje, fshehtas, ata ushtronin ritin e krishterë. Në shumë raste, nga një familje e pranonte fenë islame vetëm kryetari i saj, përfaqësues i familjes në marrëdhëniet me pushtetin osman, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes mbeteshin të krishterë. Në këtë mënyrë, në disa krahina popullsia e të cilave në dukje ishte islamizuar, në të vërtetë për një farë kohe vijoi të ruhej fshehtas feja e krishterë. Krishterimi i fshehtë ishte një dukuri e pranishme si në mesin e popullsisë katolike, ashtu edhe të asaj ortodokse. Veçanërisht gjatë shek. XVI-XVIII gjendja e krishterimit të fshehtë iu imponua popullsisë katolike shqiptare. Duke bashkëpunuar më ngushtë me fuqitë katolike të Perëndimit për t’u çliruar nga sundimi osman, sidomos me rastin e luftërave veneto-austro-osmane të vitit 1683-1690 etj., mjaft individë të besimit katolik, për t’i shpëtuar ndëshkimit të pushtetit osman pas mbarimit të luftërave në fjalë, pranonin publikisht fenë islame duke ruajtur fshehtas besimin e krishterë. Numri i katolikëve të fshehtë (laramanëve) u shtua sidomos pas luftës midis Austrisë dhe Perandorisë Osmane të viteve 1737-1739. Pas tërheqjes së forcave austriake drejt veriut, kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga arkipeshkvi Mihal Suma mbetën të vetmuar përballë ndëshkimit të pushtetit osman. Për t’u shpëtuar masave ndëshkuese të autoriteteve osmane, një pjesë e banorëve katolikë të Shqipërisë Veriore pranoi formalisht fenë islame, duke praktikuar fshehurazi besimin e krishterë. Ekzistenca e dukurisë së krishterimit të fshehtë në radhët e popullsisë katolike herë pas here shkaktonte debate dhe pështjellim në mesin e klerit katolik kur ishte fjala për administrimin e shërbesave fetare për individët që ndiqnin fshehurazi ritin katolik. Vëmendje të veçantë kësaj çështjeje i kushtoi edhe Koncili i Arbënit (Kuvendi Kishtar Shqiptar), i mbledhur në afërsi të Lezhës më 1703, me nxitjen e drejtpërdrejtë të papa Klementit XI. Ky forum, që u kryesua nga arkipeshkvi i Tivarit V. Zmajeviç, vendosi që t’u jepej fund dilemave për këtë çështje, duke urdhëruar që në të ardhmen individët, të cilët publikisht silleshin si myslimanë dhe privatisht i përmbaheshin fesë së të parëve të vet, të braktisnin islamin dhe publikisht të ushtronin krishterimin, në mënyrë që kështu ata të gëzonin të drejtën e shërbesave të shenjta (sakramenteve). Për të krishterët katolikë, që kishin lëshuar besimin dhe kishin përqafuar islamin në momente të veçanta dëshpërimi, u vendos që shërbesat e shenjta t’u jepeshin vetëm pasi ata të deklaroheshin hapur si përpara kishës, ashtu dhe autoriteteve osmane për kthimin në besimin e mëparshëm. Klerikëve katolikë u ndalohej që të kryenin shërbesat për gratë katolike të martuara me burra të islamizuar, si dhe për gratë, burrat e të cilave ishin islamizuar pas martesës. Megjithatë, në praktikë kryerja e shërbesave të shenjta edhe për këto kategori personash në përgjithësi vijoi të zbatohej deri në vitin 1744, kur për këtë qëllim doli një dekret i veçantë papal. Dekreti në fjalë lejonte vetëm pagëzimet e fëmijëve të kriptokristianëve në momentet kur këta të fundit ishin duke vdekur. Qëndrimi i Kishës Ortodokse ndaj kriptokristianëve ishte më i butë sesa ai i Kishës Katolike. Gjatë procesit të islamizimit në rrjedhën e shekujve edhe në mesin e popullsisë ortodokse shqiptare kishte me shumicë individë të islamizuar, të cilët fshehurazi ndiqnin ritin e krishterë. Mirëpo këta individë nuk u privuan nga shërbesat kishtare të klerit ortodoks. Krishterimi i fshehtë përfaqësonte një situatë kalimtare në jetën e një pjese të popullsisë së islamizuar shqiptare, situatë e cila pas një kohe merrte fund me triumfin e besimit islam ose të atij të krishterë. Në përgjithësi kjo kategori njerëzish mbeti në besimin islam, por pati raste kur ajo iu rikthye krejtësisht krishterimit. Kështu ndodhi, p.sh., me popullsinë e krahinës së Shpatit në sanxhakun e Elbasanit. Banorët e kësaj krahine edhe pse fshehurazi mbanin emra të sferës së krishterë dhe vijonin të ndiqnin ritin ortodoks, në publik paraqiteshin me emra myslimanë dhe si të tillë njiheshin edhe nga autoritetet osmane. Kështu në dokumentet osmane të viteve 20 të shek. XVIII popullsia e krahinës së Shpatit përgjithësisht është regjistruar si popullsi e islamizuar. Vetëm në vitin 1832, kur qeveria osmane i thirri nën armë duke i konsideruar shtetas myslimanë, shpatarakët e deklaruan veten publikisht të krishterë, duke marrë përsipër të gjitha detyrimet që rridhnin nga një status i tillë. | |
| | | The.Timmi ..Administrator..
Numri i postimeve : 419 Age : 31 Vendodhja : www.Alba-oNe.tK Registration date : 25/10/2008
| Titulli: Re: Përhapja e Fesë Islame Sat Oct 25, 2008 1:41 pm | |
| Sektet islamike në Shqipëri. Bektashizmi
Islami u përhap në tokat shqiptare jo vetëm në variantin e vet kryesor, sunit, por edhe në formën e sekteve (tarikateve) të ndryshme, siç ishin bektashizmi, halvetizmi, rufaizmi etj. Dëshmi të pranisë së këtyre sekteve mistike në territorin shqiptar janë teqetë e ndërtuara në një numër vendbanimesh. Midis sekteve islamike në fjalë, bektashizmi fitoi një popullaritet dhe shtrirje të konsiderueshme në viset shqiptare. Bektashinjtë u shfaqën së pari në formën e një urdhri dervishësh në pjesën aziatike të Perandorisë Osmane (Anadoll). Themelues dhe mbrojtës i këtij urdhri mistik ishte Haxhi Bektashi, i lindur në Iran më 1249 dhe i vendosur në Turqi më 1284. Rol të veçantë në ngjizjen e ideve të Haxhi Bektashit patën kontaktet e tij me besimet aziatike të budizmit dhe të hinduizmit gjatë udhëtimeve që ai kreu në Indi, Tibet e në Kinë. Themeluesit e bektashizmit që në fillim dolën kundër rreptësisë doktrinare dhe dogmatizmit, duke shpallur dashurinë për të gjithë, vëllazërinë dhe bashkimin. Ndryshe nga tradita islamike, bektashinjtë e zhvilluan letërsinë e vet fetare kryesisht në gjuhën osmane dhe jo arabisht dhe persisht. Një nga misionarët kryesorë të Haxhi Bektashit, i cili u bë i famshëm për predikimin e urdhrit bektashian në hapësirat ballkanike, ka qenë Sari Salltëku, për të cilin qarkullojnë mjaft tregime dhe legjenda. Sari Salltëku, i cili u shndërrua në një nga personalitetet më të shquara të bektashizmit, në fillim të shek. XIV u dërgua nga Haxhi Bektashi në Ballkan e në Shqipëri dhe i maskuar me veladonin e një murgu të krishterë, me durim e maturi të veçantë, punoi për të mbjellë farën e besimit bektashian. Shkupi, Ohri, Kruja dhe Janina ishin disa nga qytetet kryesore, ku ndaloi Sari Salltëku për të përmbushur misionin e lartpërmendur. Shenjtori bektashian ndihmohej në punën e vet nga një numër dervishësh, të cilët i përhapnin parimet bektashiane duke u paraqitur publikisht në emër të profetit Jezu Krisht dhe jo të Haxhi Bektashit. Madje Sari Salltëku dhe bashkëpunëtorët e vet themeluan në Korfuz edhe një “institut ortodoks”, i cili në të vërtetë u përdor për të përhapur në popull idetë e lirisë, dashurisë dhe të disiplinës bektashiane. Që prej kohës së themelimit sekti (tarikati) bektashian erdhi duke u plotësuar nga pikëpamja ideore dhe organizative, derisa në fundin e shek. XV Balim Sulltani do t’i jepte trajtën përfundimtare këtij urdhri. Bektashizmi që në fillimet e veta u paraqit si një sekt islamik liberal, duke qenë i afërt në shumë aspekte edhe me krishterimin. Tri ishin elementet kryesore mbi të cilat mbështetej besimi bektashian: e vërteta (hakikati), dituria (marifeti) dhe ligji (sheriati). Këta tre elementë konsiderohen si shtylla të këtij besimi dhe si parimet udhëheqëse të veprimtarisë së njeriut. Në këtë mënyrë porositej që ndjekësit e këtij urdhri të ishin të drejtë dhe të sinqertë kudo dhe kurdo, të luftonin për të qenë sa më të ditur dhe të zbatonin ligjet e vendit ku jetonin. Ndryshe nga besimtarët sunitë, bektashinjtë nuk e kishin të ndaluar përdorimin e pijeve alkoolike dhe nuk e pranonin mbulesën e fytyrës së grave kur dilnin në publik. Bektashizmi respektonte ekzistencën dhe zhvillimin e lirë të kombeve dhe të besimeve të ndryshme fetare. Parajsa (xheneti) dhe ferri (xhehenemi) për bektashinjtë s’ishin gjë tjetër veçse prehja e shpirtit kur njeriu bën mirë dhe vuajtja e tij kur njeriu bën keq në jetë. Falja gjithashtu pakësohej nga pesë herë vetëm në dy herë në ditë, ndërsa agjërimi, nga një muaj në dhjetë ditë, duke ndërprerë vetëm të pirët e ujit. Natyra liberale dhe eklektike e bektashizmit e bëri këtë sekt mjaft të pranueshëm e tërheqës për mjedisin ballkanik e veçanërisht për atë shqiptar, ku feja e krishterë bashkëjetonte me elementë të fuqishëm të trashëgimisë pagane të periudhës parakristiane. Në këtë mënyrë, përhapja e bektashizmit në tokat shqiptare u bë një nga aspektet kryesore të procesit të islamizimit të popullsisë, duke e shoqëruar këtë proces që nga fillimet e tij. Edhe pse, siç u theksua më sipër, tradita bektashiane duhet të ketë qenë e hershme në Shqipëri (fundi i shek. XIV-fillimi i shek. XV), burimet historike të njohura deri më tani i regjistrojnë gjurmët e saj që nga gjysma e dytë e shek. XVII. Sipas të dhënave të përftuara nga udhëpërshkrimi i gjeografit osman Evlija Çelebiu, në disa qytete shqiptare të kësaj kohe ekzistonin vende të shenjta dervishësh, si teqe, tyrbe etj. Me terma më konkretë përmendet teqeja e Haxhi Bektash Veliut në Kaninë të Vlorës e ndërtuar nga Sinan Pasha si vepër bamirësie. Në qytetin e Vlorës gjithashtu ekzistonte një teqe bektashiane me emrin e Baba Sulltanit (e njohur ndryshe me emrin Kuz Baba). Prania e bektashizmit dëshmohet në këtë kohë edhe në qytetin e Gjirokastrës, kur thuhet se shumica e popullsisë së këtij qyteti ulej dhe ngrihej duke thirrur për Aliun (është fjala për dhëndrin e profetit Muhamed, imam Aliun, për të cilin bektashinjtë kishin adhurim të veçantë); festonin krahas dy Bajrameve si ditë të shenjta, Shën Gjergjin, Nevruzin, Shën Mitrin, Sari Salltëkun, dhe në këto festa pinin verë të kuqe dhe raki. Edhe në vendbanime të tjera shqiptare, si në Pogradec, Mitrovicë, Kaçanik etj., sipas burimit të mësipërm, ekzistonin teqe bektashiane, çka flet për shtrirjen relativisht të gjerë të këtij sekti islamik deri në vitet 60-70 të shek. XVII. Një nga qendrat e spikatura të bektashizmit shqiptar ishte bërë qyteti i Krujës, ku disa dëshmi interesante, siç janë gurët e varreve me simbole bektashiane që datojnë përkatësisht në vitet 1717 e 1728, flasin qartë për praninë e këtij urdhri në qytet të paktën që nga dhjetëvjeçarët e parë të shek. XVII. Lidhjet e ngushta të Krujës me bektashizmin duken qartë edhe në faktin se, krahas disa teqeve e zavijeve (teqe të vogla) bektashiane, në rrethinën e qytetit ka ekzistuar në Kreshtën e Malit edhe vendi i shenjtë me emrin e Sari Salltëkut, qendër e njohur pelegrinazhi jo vetëm për besimtarët e këtij sekti, por edhe për njerëz të besimeve të tjera. Ritmet e përhapjes së bektashizmit në radhët e popullit shqiptar u shpejtuan gjatë gjysmës së dytë të shek. XVIII dhe fillimeve të shek. XIX, kohë kur urdhri i mësipërm fitoi mbështetjen e Ali pashë Tepelenës, sundimtarit të Pashallëkut të Janinës. Duke qenë kundërshtar i pushtetit qendror osman, në mënyrë të vetvetishme pashai tepelenas u afrua me korpusin e jeniçerëve, në këtë kohë opozitar i pushtetit sulltanor. Me këtë shpjegohen prirjet e tij adhuruese ndaj sektit bektashian, i cili ishte fe sunduese në radhët e jeniçerëve. Madje, thuhet se vetë Ali Pasha përqafoi bektashizmin dhe bëri çmos për fuqizimin e këtij urdhri në Shqipëri. Sundimtari i Janinës u lidh ngushtë edhe me një nga misionarët e bektashizmit në Shqipëri, Sheh Memiun (Sheh Mimi), veprimtaria e të cilit ishte veçanërisht e spikatur në Krujë dhe në rrethin e saj, ku u ndërtua në vitin 1802 edhe një teqe me emrin e tij. Kryeqendra e pashallëkut, Janina, ishte kthyer në vendqëndrim për mjaft dervishë e misionarë të ndryshëm të urdhrit bektashian, të cilët vinin nga Stambolli apo qendra të tjera të Perandorisë Osmane, të larguar prej andej për arsye të ndryshme. Brenda territorit të pashallëkut dervishët bektashianë gjenin kushte të përshtatshme dhe trajtim të privilegjuar nga ana e Ali Pashës. Atyre u viheshin në dispozicion shuma të hollash dhe ndërtesa për banim, ndërsa në mjaft raste edhe prona të konsiderueshme. Kështu, Sheh Bursaliu i ardhur nga Anadolli, shef i një teqeje në Prevezë, gëzonte një benefic vjetor prej 20 000 frangash dhe një shtëpi të kushtueshme, kurse një tjetër dervish me prejardhje nga Maroku, Seid Ahmet Efendiu (misionar diplomatik i Ali Pashës), u pajis me prona tokësore të konsiderueshme me të ardhura prej më se 20 000 frangash, duke u emëruar njëkohësisht edhe si sheh i një teqeje pranë qytetit të Pargës. | |
| | | The.Timmi ..Administrator..
Numri i postimeve : 419 Age : 31 Vendodhja : www.Alba-oNe.tK Registration date : 25/10/2008
| Titulli: Re: Përhapja e Fesë Islame Sat Oct 25, 2008 1:42 pm | |
| Një tjetër dinjitar i urdhrit bektashian në Pashallëkun e Janinës, Sheh Ahmeti nga Siria, shef i një teqeje në hyrje të qytetit të mësipërm, zotëronte gjithashtu sipërfaqe të gjera tokësore me të ardhura të lakmueshme. Pas likuidimit të korpusit të jeniçerëve nga sulltan Mahmuti II më 15 qershor 1826, në Stamboll dhe në qendra të tjera të Perandorisë Osmane, shpërtheu një stuhi e fortë dhune e represioni kundër urdhrit bektashian. Në kryeqytetin e perandorisë u shkatërruan mjaft teqe të këtij urdhri, u arrestuan, u burgosën, u ezekutuan ose u dëbuan baballarë, dervishë, si dhe u konfiskuan libra të shumtë. Mirëpo nuk kaloi shumë kohë dhe urdhri bektashian filloi ta rimarrë veten me shpejtësi. Nga ana tjetër, furtuna kundërbektashiane e sulltan Mahmutit II në viset shqiptare kaloi pa pasoja të rënda, duke mos përjashtuar këtu ndonjë ndikim negativ që ushtroi në këtë drejtim rivaliteti midis Ali pashë Tepelenës si mbrojtës i bektashizmit dhe Bushatllinjve të Shkodrës si mbrojtës të islamit sunit dhe kundërshtarë të bektashizmit. Pas bektashizmit, halvetizmi ishte sekti (tarikati) kryesor islamik që depërtoi në viset shqiptare. Emri i këtij sekti lidhet me themeluesin e tij Omer el Halveti nga Tabrizi i Iranit (shek. XIV). Rëndësi të veçantë në historinë e këtij sekti ka figura e Sejid Jahja Shirvaniut (mesi i shek. XV) nga Bakuja, i cili njihet si themelues i vërtetë i tij. Praktika fetare e sektit halveti konsiston në tërheqjen e besimtarit në një dhomë të veçuar për të kryer ritin e “zikrit”, rit i cili lidhet me përmendjen e Zotit me zë të lartë nën emra të ndryshëm të gjetur posaçërisht për një gjë të tillë. Shehlerët dhe dervishët halvetinj në të shumtën e kohës, kanë qenë aleatë të pushtetit politik osman në ruajtjen dhe konsolidimin e islamit sunit në vendet e sunduara dhe në luftërat e tij kundër fuqive të krishtera. Fillesat e përhapjes së halvetizmit në tokat shqiptare i takojnë fundit të shek. XIV dhe gjysmës së parë të shek. XV. Megjithatë, depërtimi i këtij sekti në mesin e popullit shqiptar bëhet më i dukshëm duke filluar nga gjysma e parë e shek. XVI. Vendpërhapja e tij fillestare u bënë krahinat e Shqipërisë Jugore. Qendrat kryesore ku u vendosën misionarët halvetinj qenë Delvina dhe Vlora. Nxitësi kryesor i këtij procesi ishte Jakup Efendiu, një nga shehlerët e dëgjuar të këtij sekti në këtë kohë, ndërsa qendër e rrezatimit halvetian për krahinat e lartpërmendura ishte qyteti i Janinës, ku, që në vitin 1390 ishte themeluar një teqe e këtij sekti nga Gazi Evrenoz beu me autorizimin e sulltan Bajazitit I. Duke u nisur nga fakti se në Berat, Korçë, Elbasan dhe në Vlorë në fund të shek. XV dhe fillim të shek. XVI dëshmohet të jenë themeluar teqe halvetiane, do të pranohet se përhapja gjeografike e këtij sekti ishte zgjeruar jo pak. Evolucioni i këtij procesi shpejtohet edhe më shumë gjatë shek. XVIII, shekull gjatë të cilit tarikati halvetian shton praninë e vet edhe në Kosovë dhe në trevat shqiptare në Maqedoninë Perëndimore. Kjo shihet në rrjetin e teqeve halvetiane që themelohen gjatë kësaj kohe në këto treva. Kështu, Prizreni, Gjakova, Rahoveci, Manastiri, Kërçova etj., u bënë qendrat kryesore të halvetizmit. | |
| | | The.Timmi ..Administrator..
Numri i postimeve : 419 Age : 31 Vendodhja : www.Alba-oNe.tK Registration date : 25/10/2008
| Titulli: Re: Përhapja e Fesë Islame Sat Oct 25, 2008 1:42 pm | |
| [b]Faktorët ndikues në islamizimin e popullsisë shqiptare Rrethanat politike dhe ekonomiko-shoqërore
Përhapja e islamit në tokat shqiptare ishte një dukuri e shkaktuar prej bashkëveprimit të një numri faktorësh të natyrave të ndryshme: politike, ekonomike, kulturore dhe fetare. Perandoria Osmane ishte një shtet islamik që pranonte të drejtën e ekzistencës brenda kufijve të tokave nën sundimin e vet edhe të komuniteteve fetare joislamike, mjafton që këto të fundit të njihnin pushtetin e sulltanit dhe të paguanin një taksë të caktuar (xhizjen) si kompensim për “mbrojtjen” që gëzonin nën hijen e sovranit osman. Kështu edhe në Shqipëri, pushtimi osman nuk u shoqërua me përdorimin e dhunës së organizuar e të drejtpërdrejtë shtetërore me synim çrrënjosjen e fesë ekzistuese (krishterimit) dhe imponimin e islamit në vend të saj. Dy prej sulltanëve osmanë, Selimi I dhe Murati IV, që projektuan islamizimin me forcë të të gjithë popullsisë së krishterë të perandorisë, u detyruan të hiqnin dorë që në fillesë prej këtyre projekteve për shkak të kundërshtimit të vendosur të drejtuesve të lartë të klerit islamik dhe të qarqeve kishtare. Mbijetesa e komuniteteve të krishtera në Shqipëri, pavarësisht nga tkurrjet e tyre për llogari të kalimeve masive në fenë islame, e vërteton më së miri atë që u tha më sipër. Megjithatë, mjaft aspekte të politikës së shtetit osman kundrejt vendeve të krishtera të përfshira nën sundim, rrjedhimisht edhe ndaj Shqipërisë, shërbyen si shkaqe të mirëfillta që inkurajuan procesin e përhapjes së fesë islame ndër shqiptarët. Në radhë të parë këtu duhen përmendur mekanizmat politikë, që u përdorën për tërheqjen e fisnikërisë feudale vendase në hierarkinë ushtarako-administrative osmane. Qoftë nëpërmjet marrjes së pinjollëve të familjeve feudale shqiptare si pengje vasaliteti në Stamboll, qoftë nëpërmjet tërheqjes së një pjese tjetër drejtpërsëdrejti në sistemin e timarit (si timariotë të krishterë dhe më pas të islamizuar), shteti osman ia arriti të islamizojë dhe të inkuadrojë brenda strukturave të veta një pjesë të madhe të elitës së shoqërisë shqiptare të kohës. Pjesa tjetër, e cila vendosi të mos pajtohet me sundimin osman duke organizuar dhe udhëhequr një qëndresë të armatosur disa dhjetëravjeçare gjatë shek. XV, pas mposhtjes së kësaj qëndrese, ose u detyrua të braktisë vendin ose pranoi islamizmin, duke u integruar gjithashtu në sistemin e ri politik osman. Nga ana tjetër, një ndër parimet bazë të ndërtimit administrativ të shtetit osman ishte sigurimi i nëpunësve dhe i funksionarëve të të gjitha niveleve të administratës kryesisht nga kontingjentet e islamizuara të individëve të grumbulluar në Stamboll nëpërmjet detyrimit të devshirmesë ose nga burime të tjera, siç ishin robërit e luftës të kapur në betejat e ndryshme të ushtrive osmane gjatë operacioneve luftarake. Një sistem i tillë i quajtur “sistemi i robërve” (kul sistemi) u përdor me sukses sidomos gjatë shekujve të parë të sundimit osman, duke u bërë burim i fuqisë dhe i qëndrueshmërisë së perandorisë, ngaqë kuadri drejtues i administratës shtetërore ishte përgatitur dhe edukuar rreptësisht me frymën e besnikërisë ndaj fesë islame dhe sulltanit. Për shkak të pozitës gjeopolitike delikate (ndodhej në brezin kufitar perëndimor të Perandorisë Osmane), si dhe të prirjeve luftarake të spikatura të banorëve të saj, Shqipëria u bë jo vetëm një nga vendet ku detyrimi i devshirmesë gjeti zbatimin më të gjerë, por edhe vendi që përgjithësisht u qeveris nga shqiptarë të dalë nga kontingjentet e lartpërmendura. Në këtë mënyrë, klasa ushtarako-administrative osmane në viset shqiptare, duke qenë etnikisht e njëjtë me të qeverisurit e vet, duke zotëruar jo vetëm pushtetin politik, por edhe atë ekonomik (ishte pronare e timareve, zeameteve, haseve etj.), u bë një faktor i rëndësishëm për depërtimin e islamit në radhët e bashkëkombësve të vet. Përmasat e gjera të përhapjes së islamizmit në tokat shqiptare kanë lidhje edhe me ballafaqimet e ashpra të armatosura të popullit shqiptar me ushtritë osmane në kushtet e një qëndrese të pashembullt disa dhjetëravjeçare për mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë së tokave shqiptare. Qëndresa antiosmane e shqiptarëve gjatë shek. XV, e cila kulmoi me luftërat nën udhëheqjen e Skënderbeut, u shtyp në vitin 1479 me rënien e qytetit të Shkodrës në duart e osmanllinjve. Dëmet e mëdha njerëzore, materiale e kulturore që pësoi populli shqiptar në këtë luftë u bënë kushte lehtësuese për depërtimin e islamizmit në radhët e popullsisë vendase të mbetur, sidomos asaj të përfshirë brenda rrezes së veprimeve luftarake. Braktisja e mjaft qendrave të banuara nga popullsia e krishterë, e cila mërgoi jashtë atdheut, krijoi mundësinë për islamizimin e këtyre vendbanimeve, duke pasur parasysh në këtë rast edhe grumbullimin e elementëve të islamizuar përreth. Shembull domethënës për këtë ishte qyteti i Shkodrës, i cili vetëm disa vjet pas rënies në duart e osmanllinjve, në defterin osman të regjistrimit të vitit 1485 rezulton i islamizuar në masën 48%. Në mjaft raste lëshimi i besimit të krishterë dhe përqafimi i fesë islame nga popullsia shqiptare shihej si mjet shpëtimi nga ndëshkimi i pushtetit osman për shkak të pjesëmarrjes së saj në kryengritjet e ndryshme çlirimtare, duke bashkëpunuar edhe me shtete të ndryshme të Perëndimit. Kështu, p.sh., ndodhi pas shtypjes së kryengritjes shqiptare që shpërtheu gjatë luftës veneto-osmane të viteve 1646-1649, kur e gjithë popullsia katolike e qytetit të Tivarit dhe periferisë së tij u detyrua të mohojë besimin e vet dhe të kalojë në islamizëm. Rredhoja të tilla në procesin e islamizimit patën edhe ngjarje të tjera të kësaj natyre, si luftërat austro-osmane të viteve 1683-1699 dhe 1737-1739. | |
| | | The.Timmi ..Administrator..
Numri i postimeve : 419 Age : 31 Vendodhja : www.Alba-oNe.tK Registration date : 25/10/2008
| Titulli: Re: Përhapja e Fesë Islame Sat Oct 25, 2008 1:42 pm | |
| Braktisja e fesë së krishterë dhe përqafimi i islamizmit u stimuluan fuqishëm edhe nga detyrimi i popullsisë së krishterë për t’i paguar shtetit osman taksën e xhizjes. Në një mjedis shoqëror ku sundonte varfëria dhe skamja, pamundësia për ta paguar rregullisht një taksë të tillë, që me zhvlerësimet e monedhave të kohës rritej progresivisht në vlerë monetare, bënte që nga viti në vit barra e të prapambeturave nga kjo taksë të rëndohej deri në atë masë, sa që të krishterët taksapagues të çliroheshin nga ky detyrim duke gjetur si zgjidhje shpëtimtare braktisjen e besimit ekzistues dhe kalimin në fenë islame. Relatorët katolikë të shek. XVII-XVIII, përgjithësisht, xhizjen (haraçin) e konsiderojnë si faktor kryesor për gërryerjen e krishterimit dhe përhapjen e islamit ndër besimtarët shqiptarë. Sipas një raporti të vitit 1610 dërguar Vatikanit nga arkipeshkvi i Tivarit, Marin Bici, fshatra të tëra të Shqipërisë kishin mohuar besimin e krishterë për t’i shpëtuar pagesës së haraçit (xhizjes). Me qëllim që të shpëtonin besimtarët e vet nga rreziku i mohimit të fesë së krishterë dhe kalimit në islam, si rrjedhojë e rëndimit gjithnjë e më shumë të barrës së xhizjes, njerëz të rëndësishëm të hierarkisë kishtare katolike shqiptare, siç ishte p.sh. arkipeshkvi i Tivarit Vinçens Zmajeviç, sugjeruan edhe rrugëdalje të tilla nga kjo gjendje. E tillë ishte ndërhyrja pranë autoriteteve osmane për të përjashtuar nga kjo taksë kategoritë më të varfra të popullsisë, ose gjetja e mundësive për t’i shpërngulur në vendet katolike të Perëndimit, ku do t’u siguroheshin edhe kushtet e nevojshme për punë dhe jetesë. Kështu, më 1704, 117 banorë nga dioqeza e Tivarit ishin dërguar në Venedik ku ishin punësuar duke u inkuadruar me pagesë në ushtrinë e këtij vendi. Shumë individë e ndërruan fenë duke pranuar islamizmin edhe si mundësi për të shmangur rrezikun e diskriminimit shoqëror dhe si mjet për të siguruar përparësitë politike dhe ekonomike që ofronte shoqëria osmane e kohës. Nga ana tjetër, prirjet dhe zotësitë luftarake të shqiptarëve në rrethanat e sundimit osman, kur nevojat ushtarake të perandorisë ishin aq të shumta, u ofronin atyre shanse të mëdha për të përmirësuar kushtet ekonomike dhe për të siguruar mbijetesën nëse përqafonin islamin. Kështu që nuk ishin të paktë të krishterët shqiptarë që braktisnin fenë e tyre dhe përqafonin islamin, në mënyrë që të mundësonin përfshirjen e tyre në shërbime të ndryshme me karakter ushtarak. Rasti i mbrojtësve shqiptarë të kështjellës së Zhulatit (fshat në rrethin e Gjirokastrës), të cilët ndërruan fenë pasi vetëm kështu mund të mbeteshin në shërbimin e lartpërmendur, është fakt tepër domethënës për atë çka u theksua më sipër. Mendimtarë të shquar shqiptarë, si Sami Frashëri, Fan S. Noli, Faik Konica etj., kanë vënë në dukje rolin jo të vogël që kanë luajtur karakteristikat e lartpërmendura në shtyrjen e popullsisë shqiptare drejt përqafimit të islamit. Në veprën e vet “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, S. Frashëri shkruan midis të tjerash se, “shqiptarët kishin zënë të marrënë besën’e tyrqet (turqve - shën. i aut.) e të bëhenë myslimanë që pa rënë Shqipëria në duar të tyrqet. Po si u bënë këta zotërinjt’ (sunduesit - shën. i aut.) e Shqipërisë, këthyerj’e besës u shtua shumë më tepër edhe më të gjith’ anët të Shqipërisë zunë të marrënë besën’ e mundëset (fitimtarëve - shën. i aut.) duke thënë tek është kordha, është besa! Shqipëtarëtë kanë këtë vetië që rëndonenë çpejt nga një besë e duanë gjithënjë ta ndërojnë; si pan’ që tyrqitë s’u bëjnë nder atyre që s’janë në besët të tyre, s’përtuanë për të marr’atë besë”. Praktika e ndërrimit të fesë për hir të pragmatizmit politik, në të vërtetë kishte ekzistuar që në kohët mesjetare. Veçanërisht princat shqiptarë e kishin bërë zakon që përkatësinë e vet fetare t’ua përshtasnin aleancave me shtete të ndryshme të Lindjes ose të Perëndimit.
Gjendja kishtare në viset shqiptare
Me gjithë rëndësinë e padiskutueshme të faktorëve politikë, ekonomikë dhe shoqërorë në nxitjen e procesit të kalimit në islamizëm të një pjese të madhe të popullit shqiptar, një rol përcaktues në këtë proces luajtën veçoritë e situatës fetare në viset shqiptare në momentet e kontaktimit të shqiptarëve me islamin. Ndryshe nga popujt e tjerë fqinjë ballkanikë, shqiptarët nuk kishin një kishë të vetme kombëtare. Përkundrazi, duke u ndodhur në një pozitë gjeopolitike të veçantë, territori shqiptar u gjend në vijën kufitare midis dy kishave universale të kohës: Kishës Katolike Romake me seli në Vatikan dhe asaj Ortodokse me seli qendrore në Konstandinopojë (Stamboll). Në mënyrë të përafërt, kufirin midis popullsisë shqiptare të ritit katolik dhe asaj të ritit ortodoks e formonte vija Durrës-Elbasan-Dibër-Shkup. Megjithatë, edhe në veri të vijës së lartpërmendur, veçanërisht kur është fjala për trevat shqiptare veriore dhe verilindore (përkatësisht viset brenda kufijve të sotëm të Malit të Zi dhe të Kosovës), ekzistonin përzierje të popullsisë katolike me atë ortodokse, që bënte pjesë në juridiksionin e Patrikanës së Pejës. Edhe pas vendosjes së sundimit osman në tokat shqiptare, marrëdhëniet midis dy kishave kryesore karakterizoheshin nga rivaliteti për të zgjeruar hapësirat e ndikimit dhe për të shtuar numrin e besimtarëve në kurriz të njëra-tjetrës. Mungesa e harmonisë, grindjet dhe tensionet në marrëdhëniet midis institucioneve kishtare të dy riteve kryesore (katolike dhe ortodokse), patën ndikime të forta në dobësimin e pozitave të krishterimit në mesin e shqiptarëve dhe në lehtësimin e depërtimit të islamit në radhët e tyre. Në kushte më të vështira u gjend sidomos Kisha Katolike, e cila u shtrëngua të vuante rrjedhojat negative të ashpërsimit të politikës së Portës së Lartë si kundërpërgjigje ndaj rolit parësor që kishte Selia e Shenjtë Romake në projektimin e fushatave luftarake antiosmane të ndërmarra prej shteteve perëndimore. Organizimi administrativ i Kishës Katolike në trojet shqiptare përgjithësisht mbeti i pandryshuar gjatë kohës së sundimit osman, përjashto këtu ndryshimet si pasojë e ngushtimit hapësinor të Katolicizmit për shkak të përhapjes së islamizmit. Në Veri, Arkipeshkvia e Tivarit vijonte të ishte kryeqendra e krishterimit katolik shqiptar. Në varësi të saj ishin dioqezat (ipeshkvitë) katolike të Tivarit, Shkodrës, Lezhës, Sapës (Zadrimës), Pultit dhe Prizren-Shkupit (në juridiksionin e kësaj të fundit përfshihej popullsia katolike shqiptare nga Prizreni deri në Shkup). Në jug ndodhej Arkipeshkvia e Durrësit, nga e cila vareshin një numër dioqezash (ipeshkvish), siç ishin ato të Durrësit, Krujës, Arbërisë (përfshinte kryesisht fshatrat midis Elbasanit dhe Tiranës), Lisit (Mat), Bendës (përfshinte fshatrat e krahinës së Shëngjergjit, rrethi i Tiranës), Kunavisë (përfshinte famullitë në zonën midis Durrësit, Tiranës, Peqinit dhe Kavajës). Megjithatë, struktura administrative e Kishës Katolike në trojet shqiptare, si rrjedhim i përparimit të procesit të islamizimit të popullsisë, në disa përbërës të saj kishte mbetur vetëm simbolike, pasi masa kryesore e besimtarëve në një numër dioqezash kishte braktisur fenë katolike duke kaluar në islamizëm. Një dukuri e tillë aty rreth gjysmës së dytë të shek. XVII ndeshej jo vetëm në krahinat e Shqipërisë së Mesme (rrethet e Elbasanit, Kavajës, Durrësit, Krujës dhe Matit), por edhe në mjaft krahina shqiptare veriore e verilindore (Tivar, Ulqin, Shkodër, viset e Kosovës etj.). Me qëllim që të ndalonte rënien e mëtejshme të krishterimit katolik dhe valën e apostazisë (lëshimit të fesë) në ballafaqim me islamin dhe me lëvizjet reformatore në Evropë, në fillim të shek. XVII Selia e Shenjtë e Romës mori masa të rëndësishme për gjallërimin e veprimtarisë së misionarëve katolikë në Shqipëri dhe në Ballkan. Më 1622 u themelua Shoqata e Shenjtë e Përhapjes së Fesë (Sacra Congregatione de Propaganda Fide). Ndërsa në vitin 1634 shoqata në fjalë rithemeloi në Shqipëri misionet françeskane (dega e Minorëve Observantë të Reformuar), të cilët, të stërvitur në kryerje detyrash në vende me shkallë të lartë vështirësie, luajtën një rol jo të vogël në fuqizimin e qëndresës së katolicizmit përballë depërtimit gjithnjë e në rritje të fesë islame. Misionarët e urdhrit françeskan në tokat shqiptare kishin organizimin e vet të veçantë në pika të caktuara misionare, duke pasur bashkërenditës të përgjithshëm të veprimtarisë së tyre prefektin e misioneve. Pika të tilla ku ishte përqendruar veprimi misionar françeskan ndodheshin në Shkodër (fshatrat Grudë e Shas), Pultin e Sipërm, Pukë, Zadrimë (fshati Troshan), Lezhë (fshati Pëdhanë), Mirditë, Krujë (Derven) dhe në Pult. Në këto pika ishin ngritur edhe kisha të vogla (oratore). Duke qenë se misionarët françeskanë ishin përgjithësisht me kombësi të huaj, një nga detyrat e tyre kryesore ishte mësimi sa më shpejt i gjuhës shqipe me qëllim që të predikonin dhe të komunikonin si duhet me besimtarët në gjuhën vendase. Krahas ngritjes së pikave misionare françeskane për frenimin e kalimit në fenë islame të besimtarëve katolikë, Selia e Shenjtë e Romës dendësoi veprimtarinë e vet për zgjerimin e hapësirave të ndikimit të Kishës Katolike, duke u përpjekur të përfshinte brenda rrezes së administrimit të vet edhe krahina me popullsi ortodokse. Për këtë qëllim u nxit praktika e uniatizmit, e cila nënkuptonte lidhjen e popullsisë ortodokse me Selinë e Shenjtë të Romës vetëm duke njohur Papën si At shpirtëror dhe duke vijuar, nga ana tjetër, t’i përmbahej liturgjisë së Kishës Ortodokse. Aktivistët kryesorë të lëvizjes uniate u bënë murgjit bazilianë, të cilët që nga fillimi i shek. XVI u dërguan grupe-grupe nga Italia në Shqipërinë e Mesme dhe në atë të Jugut. Këta ishin kryesisht me prejardhje nga arbëreshët e Sicilisë dhe e dendësuan veprimin e vet misionar veçanërisht gjatë shek. XVII-XVIII. Në viset jugore (kryesisht në Himarë), uniatizmi njohu disa suksese, që lidhen me faktin se popullsia e Himarës njohu për një farë kohe autoritetin shpirtëror të Papës së Romës. Kjo duket qartë në kërkesën që përfaqësuesit e popullsisë himariote i drejtuan më 1577 papa Gregorit XIII për t’i ndihmuar në rindërtimin e rezidencës episkopale të shkatërruar nga osmanllinjtë. Ky ndikim i uniatizmit u pa sidomos në propozimin që himariotët bënë katër vjet më vonë, për të ngritur flamurin e revoltës antiosmane nën emrin e Papës dhe të mbretit të Spanjës, Filipit V, në se do t’u premtohej të futeshin nën juridiksionin e Kishës Katolike, duke njohur Papën si “kreun shpirtëror të vërtetë dhe më të lartë”, me kusht që të ruanin shërbesat kishtare në përputhje me traditën dhe ritin e vet. Rol të rëndësishëm për nxitjen e lëvizjes uniate luajtën edhe kolegjet e Grottaferratës (afër Romës) dhe Mexojusos (Sicili), të cilat drejtoheshin nga murgjit bazilianë dhe përgatisnin priftërinj të ritit uniat. Terrenin më të përshtatshëm uniatizmi e gjeti te arbëreshët e Italisë, të cilët formuan masën më të madhe të besimtarëve ortodoksë me prejardhje nga krahinat e Shqipërisë së Mesme, asaj të Jugut, si dhe nga ngulimet arbërore të Greqisë, të cilët u përfshinë nën qeverisjen shpirtërore të Kishës Uniate, strukturë kjo, e posaçme, e Kishës Katolike Romake. Përsa i përket krahinës së Himarës, uniatizmi nuk mundi t’i qëndrojë kundërveprimit të Kishës Ortodokse dhe si rrjedhojë, aty nga vitet 60-70 të shek. XVIII, popullsia e krahinës së lartpërmendur u rikthye nën autoritetin kishtar lindor. Me gjithë vështirësitë e krijuara pas vendosjes së sundimit osman në tokat shqiptare, Kisha Romake kishte arritur të mbante një status të caktuar, sipas të cilit, ajo ruante lirinë e administrimit dhe të predikimit fetar në mesin e popullsisë katolike. Kjo duket qartë edhe në beratin (dekretin) e sulltanit që, krahas diplomës së lëshuar nga zyra përkatëse e Vatikanit, konfirmonte në postin e tij titullarin e Kishës Katolike në Shqipëri, arkipeshkvin e Tivarit. Ky i fundit duhet ta ushtronte funksionin në përputhje me zakonet dhe ligjin, si dhe me kërkesat e ritit të vet. Atij duhet t’i bindeshin të gjithë priftërinjtë vartës duke iu drejtuar për të gjitha çështjet e Arkipeshkvisë (kryepeshkopatës). Titullarit të kishës i njihej e drejta të posedonte pasuritë e të gjithë priftërinjve vartës që vdisnin, kur këto pasuri llogariteshin nën 5 000 akçe. Autoritetet porositeshin të miratonin dhe të mos pengonin asnjë procedurë që lidhej me lënien e pasurive nga ana e fetarëve në dobi të të vobektëve të kishës sipas ritit dhe zakoneve. Kreu i kishës gëzonte të drejtën të emëronte e të shkarkonte lirisht varësit e vet në përshtatje me ritin e zakonin, pa pësuar asnjë ndërhyrje prej administratës shtetërore. Veç kësaj, atij i njihej e drejta mbi kurorëzimet e martesave dhe divorcet brenda juridiksionit të vet kishtar. Nga ana tjetër, tërë inventari i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të Kishës Katolike në Shqipëri ishte nën posedimin dhe administrimin e arkipeshkvit të sipërpërmendur. Vetëm pasi të kishte siguruar beratin sulltanor, një kopje e të cilit i përcillej kadiut të Tivarit, vendi ku ishte selia qendrore e Kishës Katolike Shqiptare, mund të fillonte lirisht nga ushtrimi i funksionit të vet kreu i kishës në fjalë. Masat e marra për të siguruar mbijetesën e krishterimit katolik në Ballkan dhe veçanërisht në tokat shqiptare, nuk mundën të shmangnin një varg keqkuptimesh, mungesash dhe dukurish negative që vijonin të ishin të pranishme në gjirin e bashkësisë katolike shqiptare. Në vetvete ato ishin shkaqe të mirëfillta për lehtësimin e depërtimit islam në radhët e saj. | |
| | | The.Timmi ..Administrator..
Numri i postimeve : 419 Age : 31 Vendodhja : www.Alba-oNe.tK Registration date : 25/10/2008
| Titulli: Re: Përhapja e Fesë Islame Sat Oct 25, 2008 1:44 pm | |
| Në radhë të parë Kisha Katolike në viset shqiptare duhet të përballonte vështirësitë e mëdha, që lidheshin me bindjen e besimtarëve të vet për të pranuar e për të zbatuar në jetën e tyre të përditshme kalendarin e ri gregorian, i cili më 1582 zëvendësoi atë julian. Kjo reformë kalendarike e ndërmarrë prej papa Gregorit XIII, për një kohë të gjatë shkaktoi keqkuptim e hutim ndër besimtarët katolikë, të cilët nuk e kishin të lehtë të braktisnin traditën e gjatë që kishte formuar kalendari i vjetër (julian) si përsa u përket datave të festave fetare, ashtu edhe kalendarizimit të veprimtarisë ekonomike dhe shoqërore. Për më tepër, reagimet negative ndaj kalendarit të ri nxiteshin edhe nga fakti se bashkëkombësit e tyre ortodoksë vijonin t’i përmbaheshin kalendarit të vjetër. Ngatërresat dhe shqetësimet e shkaktuara nga ndërrimi i kalendarit jo rrallë ndërlikoheshin deri në atë masë, saqë nxisnin edhe braktisje të besimit katolik dhe kalime në ritin ortodoks ose në fenë islame. Një nga çështjet shqetësuese për ushtrimin e katolicizmit në Shqipëri ishte edhe gjendja aspak e kënaqshme e kishave. Me vendosjen e sundimit osman, një pjesë e tyre ose u shkatërrua, ose u kthye në xhami. Kështu p.sh. pas pushtimit nga osmanët më 1571 të qytetit të Tivarit, kryeqendër e katolicizmit shqiptar, kisha arkipeshkvnore e Shën Gjergjit, një ndërtim madhështor në llojin e vet, u shndërrua në xhami. Të njëjtin fat pësoi edhe selia e arkipeshkvit të Tivarit, e cila u shndërrua në vendqëndrim të kadiut të këtij qyteti. Edhe në dioqezat e tjera katolike shqiptare shumë kisha ishin rrënuar, ndërsa disa të tjera kishin ndërruar destinacion, duke shërbyer hera-herës edhe si depo armatimi për ushtrinë osmane, siç ndodhi me kishën e Shën Mërisë së Borës në Lezhë. Gjithashtu një tjetër kishë e rëndësishme e këtij qyteti, katedralja e Shën Kollit (vendvarrim i Gjergj Kastrioti-Skënderbeut), për një periudhë 40-vjeçare shërbeu si xhami. Në rrethana misterioze qe djegur në vitin 1592 edhe kisha e Zonjës së Ngritur në Qiell në qytetin e Prizrenit, bashkë me të cilën u dogjën edhe mjaft libra të vjetër, si dhe një ikonë tepër e çmuar. Një sasi e madhe librash u dogjën edhe në katedralen e Krujës kur kjo u pushtua nga osmanllinjtë. Veç këtyre, edhe në shumicën e kishave që shpëtuan nga shkatërrimi apo ndryshimi i funksionit të tyre, vëreheshin mungesa në pajisjet e brendshme dhe kujdes i pamjaftueshëm për mirëmbajtjen e tyre. Mjaft problematike për Kishën Katolike në Shqipëri ishte bërë edhe çështja e nivelit arsimor dhe teologjik të klerit, si dhe shkalla e respektimit të etikës dhe e disiplinës kishtare në veprimtarinë e tij të përditshme. Përsa i përket nivelit arsimor e teologjik, me përjashtim të klerikëve të niveleve të larta (titullarë dioqezash e arkipeshkvish etj.), të shkolluar në kolegje dhe shkolla të larta teologjike në Itali, pjesa më e madhe e klerit ishte e shkolluar pak ose aspak. Një gjë e tillë vështirësonte së tepërmi komunikimin e tyre me besimtarët, i bënte ata të paaftë për të celebruar si duhet meshat dhe për të kryer detyrimet e tjera të shenjta. Veç kësaj, kishte mjaft klerikë që nuk respektonin etikën dhe disiplinën kishtare. Ishin jo të rralla rastet kur klerikë të ndryshëm bashkëjetonin me gra (konkubina), linin pas dore shërbesat e shenjta, nuk mbanin si duhet evidencat kishtare për martesat, lindjet dhe vdekjet etj. Nga ana tjetër, në mjaft dioqeza katolike shqiptare kishte mungesa jo të vogla në numrin e priftërinjve. “Shpirtrat po bjerren jo aq nga tirania e turkut (administrata osmane - shën. i aut.), sesa nga mungesa e meshtarëve”, shkruante në një relacion të vetin drejtuar Vatikanit më 1633, kryepeshkopi i Tivarit, Pjetër Mazreku. Kombi shqiptar, vijonte ai, është më i mjerë dhe më i braktisur ndër të gjitha kombet që janë në Evropë, sepse “... arbërit që as për zell besimi, as për bindje e përkushtim ndaj të parit të Kishës Romake, nuk i lëshojnë vend asnjë kombi tjetër, po vuajnë mjerisht dhe po bien përditë, sepse janë pa shkolla, pa kolegje e pa asnjë ndihmë shpirtërore”. Mëse një herë edhe përfaqësues të tjerë të lartë të klerit katolik shqiptar të shek. XVII, si Frang Bardhi etj., shtruan dhe argumentuan domosdoshmërinë e themelimit të një kolegji fetar, i cili do të përballonte në një masë nevojat e përgatitjes së klerikëve katolikë vendas. Kjo do të shmangte vendosjen e prelatëve të huaj në funksione të ndryshme kishtare në Shqipëri, të cilët duke mos ditur gjuhën e vendit, nuk ishin frytdhënës në veprimtarinë e vet në mjedisin shqiptar. Veçanërisht e mprehtë bëhej çështja e mungesës së priftërinjve katolikë në rastet e konflikteve ushtarake të shtetit osman me shtetet evropiane, kur, për shkak të bashkëpunimit me këto të fundit të klerit katolik, duke nxitur ose udhëhequr popullsinë në kryengritje çlirimtare antiosmane, autoritetet zbatonin masa të ashpra ndëshkuese. Në këtë mënyrë një pjesë e mirë e klerit, veçanërisht pjesa e mesme dhe e lartë e tij, shtrëngohej të arratisej për t’i shpëtuar represionit. Për ta zbutur këtë situatë hera-herës autoritetet osmane, të ndodhura edhe nën presionin e fuqive perëndimore, nxirrnin urdhëresa të posaçme, me të cilat garantonin lëvizjen e lirë dhe ushtrimin pa probleme të misionit fetar nga ana e prelatëve katolikë. Kështu, në vitin 1704 (pa kaluar shumë kohë nga lufta austro-osmane e viteve 1683-1699), qeveritari i përgjithshëm i sanxhakëve të Shkodrës dhe të Dukagjinit, Hydaverdi pashë Begolli (nga Peja), shpalli një urdhëresë me anën e së cilës porosiste kadilerët dhe mëkëmbësit e vet në sanxhakët e lartpërmendur që askush të mos lejohej të trazonte peshkopët, priftërinjtë ose fretërit dhe që të gjithë këta të kishin liri të plotë për të mësuar të krishterët e tyre pa kundërshtim nga kushdoqoftë, si dhe të shëtisnin ngado, të vizitonin të krishterët e të vepronin siç ua kërkonte rregulli i tyre. Tendosja që karakterizonte në përgjithësi marrëdhëniet midis administratës osmane dhe krerëve të Kishës Katolike në Shqipëri për shkak të rolit të këtyre të fundit në organizimin e qëndresës antiosmane, nuk përjashtonte momentet e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit midis dy palëve në periudhat e qetësimit të gjendjes. Në këtë kontekst mund të vlerësohet edhe urdhëresa e përmendur më sipër. Veçanërisht marrëdhëniet e kryepeshkopit tivaras Zmajeviçit dhe Hydaverdi pashë Begollit janë një shembull tipik i bashkëjetesës normale midis këtyre dy institucioneve, çka ka qenë inkurajuese për mbijetesën e katolicizmit në Shqipëri. Shpresat për një frymëmarrje më të lirë të bashkësisë katolike shqiptare përballë rrezikut të tkurrjes gjithnjë e më shqetësuese si rrjedhojë e depërtimit të fesë islame në radhët e besimtarëve, u ngjallën më shumë kur fuqi të mëdha katolike të Perëndimit, si Franca dhe më pas edhe Austria, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara me shtetin osman, fituan të drejtën e protektoratit (mbrojtjes) për popullsitë katolike brenda kufijve të shtetit osman. Që në kohën e Luigjit XIV Franca e shtoi interesimin e vet për të krishterët shqiptarë e veçmas për ata katolikë. Një gjë e tillë u qartësua më shumë me rritjen e pranisë franceze në tokat shqiptare, gjë që u konkretizua me hapjen në shek. XVII të konsullatave në qytete të ndryshme, si në Durrës etj. Artikulli 42 i Kapitulacioneve të vitit 1673 ishte baza juridike mbi të cilën vendosej e drejta e Francës për të qenë mbrojtëse e bashkësisë katolike shqiptare. Kjo e drejtë e shtetit francez u përforcua edhe më pas me një artikull të veçantë të marrëveshjes së Kapitulacioneve të vitit 1740. Më aktive në qëndrimet e veta ndaj fateve të katolicizmit në territoret e sunduara nga Perandoria Osmane ishte Austria. Traktatet ndërkombëtare të përfunduara midis shtetit osman dhe fuqive evropiane gjatë shek. XVII-XVIII, veçanërisht ai i Sistovos i vitit 1791, duke njohur përmes neneve të posaçme lirinë dhe të drejtat e besimtarëve katolikë të perandorisë për të ushtruar besimin e tyre, i jepnin gjithashtu Austrisë privilegjin e mbrojtjes së interesave të bashkësisë katolike e në rastin konkret, edhe të bashkësisë katolike shqiptare. Këtë të drejtë të njohur historikisht si “Kultus-Protektorati” (Mbrojtja e Kultit), Perandoria Austro-Hungareze do ta ushtrojë më fuqishëm gjatë shek. XIX, kur dhe interesimi i saj për bashkësinë katolike shqiptare dhe për Shqipërinë në tërësi bëhet më i ndjeshëm dhe më konkret. Rritja e ndikimit të Vjenës në këtë drejtim favorizohej shumë edhe nga acarimi gjithnjë e më i shtuar i marrëdhënieve osmano-ruse duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XVIII. Mbrojtja e drejtpërdrejtë ose e tërthortë e shteteve të krishtera të Perëndimit ishte faktor i rëndësishëm për mbijetesën e krishterimit katolik shqiptar, sidomos përsa i përket garantimit të një statusi të qëndrueshëm të tij në kushtet e sundimit osman, ashtu sikundër armiqësimi periodik i Perëndimit me shtetin osman ndikonte në ashpërsimin e qëndrimeve të tij ndaj bashkësisë katolike, duke inkurajuar kështu depërtimin e islamit në radhët e saj. Ndryshe nga Kisha Katolike, veprimtaria e Kishës Ortodokse në viset shqiptare zhvillohej në kushte më të favorshme. Qendra drejtuese kryesore e ortodoksisë shqiptare dhe asaj ballkanike në tërësi, Patrikana Ekumenike e Konstandinopojës, që nga koha e pushtimit osman, siguroi marrëdhënie të mira me sundimtarët e rinj dhe ruajti një status disi të privilegjuar brenda strukturave të Perandorisë Osmane. Menjëherë pas pushtimit të Konstandinopojës dhe shpalljes së saj kryeqytet të perandorisë, sulltan Mehmeti II e shpalli veten protektor të Kishës Ortodokse dhe emëroi kreun e ri të Patrikanës Ekumenike. | |
| | | The.Timmi ..Administrator..
Numri i postimeve : 419 Age : 31 Vendodhja : www.Alba-oNe.tK Registration date : 25/10/2008
| Titulli: Re: Përhapja e Fesë Islame Sat Oct 25, 2008 1:45 pm | |
| Rrjedhojat e përhapjes së islamit në tokat shqiptare Përhapja e islamizmit në trojet shqiptare ishte një proces me rrjedhoja të shumanshme për jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të popullit shqiptar. Rezultati kryesor i këtij procesi ishte fakti se në strukturën konfesionale të tij tashmë përfshihej si pjesë përbërëse popullsia myslimane. Prania e saj konstatohej qartë veçanërisht në qytete, në të cilat ku më herët e ku më vonë, në përshtatje me ecurinë e procesit të islamizimit, u krijuan mëhallët (lagjet) myslimane krahas atyre të krishtera. Mëhallët e reja myslimane u krijuan e u zgjeruan kryesisht në pjesën e re (jashtë kështjellave) të qytetit. Deri në fund të shek. XVI mëhallët myslimane ishin bërë realitet në qytetet e Shkodrës ( , Pejës (13), Prizrenit ( , Prishtinës (11), Vuçiternës (7) etj. Më pas, gjatë shek.XVII mëhallët e veçanta me popullsi myslimane duken edhe në qytetet e Beratit (20), Elbasanit (18) etj. Për emërtimin e mëhallëve të reja myslimane u përdorën emra të njerëzve të shquar të krahinës ku ndodhej qyteti, të krerëve të esnafeve ose të klerikëve myslimanë. Në disa raste mëhallët përmenden edhe me emrat e xhamive apo të mesxhideve që ishin ndërtuar aty. Ndryshimet në strukturën fetare të popullit shqiptar si rrjedhim i depërtimit të islamizmit, u pasqyruan edhe në arkitekturën dhe urbanistikën e vendbanimeve shqiptare. Një numër kishash u shndërruan në xhami, ndërkohë që u ndërtuan me shumicë objekte të reja të kultit islamik, si xhami, teqe, shkolla (medrese), qendra bamirësie (imarete) etj., duke i shtuar kështu pamjes urbanistike të vendbanimeve në të cilat u përhap islamizmi, një aspekt islamiko-oriental. Normat dhe rregullat islamike u shtrinë edhe në fushën e organizimit të veprimtarisë ekonomike, veçanërisht të zejtarisë në qytete. Islamizimi i popullsisë shqiptare ishte një proces me ndikime të ndjeshme edhe në shumë aspekte të kulturës shpirtërore. Në doket, martesat dhe në krijimtarinë artistike (gojore dhe të shkruar) u dukën shpejt elementët e kulturës islamiko-orientale. Martesat në përgjithësi filluan të bëheshin brendapërbrenda secilit komunitet fetar (djemtë myslimanë me vajza myslimane, ndërsa ata të krishterë me vajza të krishtera), ndërkohë që popullsia e islamizuar nisi të dallohej edhe nga mënyra e veshjes. Më të spikatura këto dallime ishin në veshjen e grave myslimane që banonin në qytete, të cilat filluan të përdornin ferexhenë për të mbuluar pjesërisht ose tërësisht fytyrën në publik. Duke filluar të paktën që nga gjysma e dytë e shek. XVI, në një pjesë të mirë të saj edhe krijimtaria letrare u zhvillua sipas modeleve islamiko-orientale. Nga ana tjetër, gjurmët që la procesi i islamizimit në jetën e shoqërisë shqiptare të kohës u shoqëruan me ndikime të dukshme edhe në fondin leksikor të shqipes. Një numër jo i paktë fjalësh e shprehjesh me prejardhje turko-arabe depërtuan në sfera të veçanta, sidomos në emërtesën e artikujve të përdorimit shtëpiak, të gjellëtarisë etj. Me përhapjen e fesë islame në viset shqiptare, u thellua më tej diversiteti fetar, gjë që potencialisht krijonte kushte për përçarjen dhe shpërbërjen e kombit shqiptar. Mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi, për arsye se realiteti i ri fetar ishte një mozaik i vendosur mbi një shtrat të fuqishëm, të përforcuar në rrjedhën e historisë nga veprimi i faktorëve të konvergjencës, siç ishin tiparet etnopsikologjike, gjuha dhe kultura e përbashkët etj. Nga ana tjetër, ashtu sikundër krishterimi (ortodoks apo katolik), edhe islami te shqiptarët përgjithësisht mbeti një fe popullore (veçanërisht në pjesën fshatare të popullsisë), larg intolerancës dhe fanatizmit doktrinar. Për më tepër, përhapja në viset shqiptare e sekteve (tarikateve) të ndryshme islamike krahas islamizmit (sunit) e zbuti mjaft klimën e marrëdhënieve ndërfetare në trevat shqiptare. Një rol të veçantë në këtë drejtim luajti urdhri bektashian, i cili duke qenë i afërt me të dy besimet kryesore, Krishterimin dhe islamizmin, duke predikuar tolerancën dhe mirëkuptimin mbarëshqiptar, kontribuoi në frenimin e prirjeve ndarëse në gjirin e popullsisë dhe në fuqizimin e lidhëzave të unitetit mbi baza etnike e kombëtare. Të dhënat e dokumentacionit historik përbëjnë vërtetimin më të sigurt për ekzistencën e tolerancës dhe të bashkëjetesës pa probleme të shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Misionari katolik Pjetër Mazreku në një raport të tijin dërguar Selisë së Shenjtë të Romës më 1633 jo pa habi theksonte: “Meqenëse rrijnë vazhdimisht bashkë, shumë sende nxënë të krishterët nga të pafetë (myslimanët - shën. i aut.) si p.sh. me kremtue ditën e premte që asht festa kryesore e turqve (myslimanëve - shën. i aut.) dhe bestytni të pafund. Turqit (myslimanët - shën. i aut.), si të rrjedhun nga të krishterët, ruajnë shumë zakone të të krishterëve; përsa u përket festave, ftojnë njeni-tjetrin ndër morte, ndër kremtime dhe kur bajnë dasma. Shumë nga këta të krishterë tue marrë e dhanë me ta, besojnë se edhe ata shelbohen (shëndetësohen - shën. i aut.), në qoftë se kryejnë disa të këqia ...”. Këtë të vërtetë e vinte re edhe një vëzhguese e huaj në Stamboll, e cila më 1717 në lidhje me shqiptarët shkruante: “Këta njerëz, që jetojnë midis të krishterëve dhe muhamedanëve dhe që nuk ua kanë marrë dorën mosmarrëveshjeve fetare, deklarojnë se nuk janë aspak në gjendje të gjykojnë se cili besim është më i miri. Por, për hir të së vërtetës, ata i ndjekin me maturi të dy besimet. Shkojnë në xhami të premteve dhe në kishë të dielave, duke nxjerrë si pretekst se në ditën e gjykimit do të kenë mbrojtjen e profetit të vërtetë; mirëpo, se kush na qenka ky profet, nuk janë në gjendje ta përcaktojnë në këtë botë”. Veçanërisht gjatë shekujve kur procesi i islamizimit të popullsisë shqiptare ishte në zhvillim e sipër, vija dalluese midis pjesës së krishterë dhe asaj të islamizuar të popullsisë paraqitej jo fort e theksuar. Kështu, p.sh., në mjaft raste ndryshimet në përkatësinë fetare u shpërfillën në sfera të tilla të rëndësishme të jetës shoqërore siç ishin marrëdhëniet martesore. Burimet historike të shek. XVII-XVIII jo rrallë ofrojnë të dhëna sipas të cilave vajza të krishtera martoheshin me djem të islamizuar dhe se këta të fundit u kërkonin priftërinjve katolikë që grave të tyre të krishtera t’u jepeshin sakramentet e shenjta (pagëzimi, kungimi, rrëfimi etj.). Për më tepër, në kundërshtim me rregullat fetare, ata kërkonin që edhe fëmijët e lindur nga këto martesa të përziera të pagëzoheshin në kishë. Ishin të shumta rastet kur edhe familje tërësisht të islamizuara u kërkonin priftërinjve pagëzimin e fëmijëve të vet. Në zonën fshatare sidomos, toleranca në zbatimin e normave dhe të porosive të fesë islame ishte akoma më e shprehur. Siç ka theksuar dijetari shqiptar Fan. S. Noli, fshatarët shqiptarë në rast nevoje, pa ndryshim feje, trokasin me radhë në derën e priftit, të hoxhës e të babait. Në mesin e popullsisë së kësaj zone ishin pothuajse të panjohura dukuri të tilla, si mbulimi i fytyrës së grave etj. Në këtë segment të popullsisë shqiptare, për shkak të prirjeve konservuese më të fuqishme, bashkëjetesa e traditave parakristiane (pagane), kristiane dhe islamike, ishte më karakteristike sesa në mjedisin qytetar. Nga ana tjetër, pjesëmarrja e përbashkët e popullsisë shqiptare si të krishterë, ashtu dhe myslimane, në lëvizjen çlirimtare antiosmane, flet qartë për cektësinë e ndarjes fetare përballë vetëdijes së bazuar në njësinë kombëtare. Midis të tjerash, këtë fakt e përforcon edhe Pjetër Budi, një nga prelatët katolikë dhe intelektualët e shquar shqiptarë të shek. XVII, i cili në një projekt të vetin të vitit 1621, për organizimin e kryengritjes çlirimtare në Shqipëri, llogariste si pjesëmarrës në të jo vetëm pjesën e krishterë, por edhe atë myslimane të popullit shqiptar. Thellimi i ndryshueshmërisë fetare gjatë sundimit osman, për shkak të kalimit të pjesës më të madhe të popullsisë katolike dhe asaj ortodokse në fenë islame, nuk e cenoi karakterin etnik të popullit shqiptar, përkundër pohimit të ndonjë studiuesi se popullsia e islamizuar bashkë me fenë humbiste edhe ndërgjegjen kombëtare. Duhet theksuar se në viset shqiptare pranë vijës së takimit me etni të huaja, procesi i islamizimit ishte një nga faktorët që ndikuan në përveçimin etnik të popullsisë shqiptare dhe të trojeve të saj nga popujt fqinjë. Një gjë e tillë mund të thuhet sidomos për brezin kufitar enik që fillon nga trevat shqiptare veriore (sot gjenden brenda kufijve politikë të Malit të Zi) dhe vazhdon në ato verilindore (Kosova) dhe lindore (viset shqiptare brenda kufijve politikë të Maqedonisë së sotme). Në kundërshtim me të vërtetën, në një pjesë të mirë të historiografisë së huaj dhe veçanërisht në veprat e historianëve sllavë, sidomos kur është fjala për viset shqiptare verilindore dhe lindore (përkatësisht Kosova dhe trevat shqiptare në Maqedoni), kanë qarkulluar e qarkullojnë teza që synojnë në një paraqitje të deformuar jo vetëm të pamjes etnike të viseve të lartpërmendura në të shkuarën historike, por edhe të bashkëlidhjes së procesit të islamizimit me realitetin etnik të këtyre viseve. Teza të tilla konvergojnë në idenë se islamizimi në Kosovë është dukuri që si kohë u përket kryesisht shek. XVIII-XIX dhe që lidhet me “eksodin” e malësorëve shqiptarë drejt tokave të Kosovës dhe të Maqedonisë, ngjarje kjo që paska shoqëruar “shpërnguljet e mëdha serbe” pas luftërave austro-osmane të viteve 1689-1690 dhe 1737-1738. Sipas mbrojtësve të pikëpamjeve të tilla, ardhësit shqiptarë të islamizuar që mbushën hapësirën “e boshatisur” të Kosovës dhe të Maqedonisë Perëndimore islamizuan edhe banorët e mbetur sllavë, duke sjellë kështu, pas islamizimit të tyre edhe “shqiptarizimin” e këtyre territoreve. Në fakt, shqyrtimi i kujdesshëm i të dhënave historive që ofrojnë burimet e shek. XVI-XVII të shpie në përfundime të kundërta me pohimet e lartpërmendura. Viset e Kosovës dhe viset e tjera shqiptare në Maqedoninë e sotme u bënë pjesë e procesit të islamizimit, si proces unik që përfshiu tërë hapësirën etnike shqiptare. Madje, popullsia e viseve të lartpërmendura, për shkak të rrethanave politike e shoqërore të veçanta në të cilat ndodhej në prag të vendosjes së sundimit osman, dallohej për hershmërinë e fillimeve të kalimit në islamizëm dhe për ritme më të larta të zhvillimit të këtij procesi në krahasim me pjesën tjetër të popullit shqiptar. Mjafton të përmendim se që në fund të shek. XVI rreth 60% e popullsisë qytetare të Kosovës dhe të trevave shqiptare në Maqedoninë Perëndimore ishte islamizuar. Po të kemi parasysh se gjatë shek. XVII jo vetëm popullsia qytetare, por edhe ajo fshatare kaloi masivisht në fenë islame, duket qartë se realiteti i ri fetar në trevat shqiptare të lartpërmendura (islamizimi i shumicës dërrmuese të popullsisë vendase), ishte krijuar përpara luftës austro-osmane të viteve 1689-1690 dhe së ashtuquajturës “shpërngulje serbe” që ndodhi pas saj. Prandaj është plotësisht e qartë se në këto vise kemi të bëjmë me islamizim të popullsisë shqiptare, banuese shekullore e këtyre vendeve. Përkatësia etnike shqiptare e popullsisë së Kosovës dhe të trevave shqiptare lindore (të Maqedonisë së sotme Perëndimore), duket edhe në faktin se në defterët osmanë të regjistrimit të popullsisë (gjysma e dytë e shek. XVI) shumë banorë të islamizuar të këtyre viseve ende ruanin si mbiemra emrat e krishterë të prindërve të vet ose mbiemra nga sfera e antroponimisë karakteristike shqiptare (Bardh, Gjin, Gjergj etj.). Për shqiptarësinë e popullsisë së islamizuar të viseve të lartpërmendura jep të dhëna bindëse edhe relacioni i prelatit katolik Pjetër Mazreku, i cili në vitin 1623 informonte se Prizreni kishte 12 000 banorë myslimanë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë. Duke qenë se që përpara luftës austro-osmane të viteve 1689-1690, islamizmi u përhap masivisht në radhët e popullsisë shqiptare dhe jo asaj serbe, dhe se popullsia e islamizuar formonte shumicën dërrmuese të krejt popullsisë banuese në territorin e sotëm të Kosovës dhe në viset shqiptare lindore, natyrshëm del përfundimi se popullsia sllave e këtyre viseve nuk përbënte veçse një pakicë kundrejt shumicës etnike shqiptare. Në këtë mënyrë, popullsia autoktone e këtyre anëve, sikundër e tërë popullsia shqiptare e islamizuar, ndërroi vetëm përkatësinë fetare duke ruajtur të pandryshuar përkatësinë etnike shqiptare. | |
| | | Sponsored content
| Titulli: Re: Përhapja e Fesë Islame | |
| |
| | | | Përhapja e Fesë Islame | |
|
| Drejtat e ktij Forumit: | Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
| |
| |
| |
|