Edhe 27 vjet pas vdekjes së tij, Tito ende mbetet enigmë për studiuesit. Biografia e njeriut që e ka sunduar Jugosllavinë për tri dekada e gjysmë, poliglotit, shpatarit, pianistit...dhe njërës prej figurave me të rëndësishme të kohës së tij, edhe sot konsiderohet mister i vërtetë për biografët e Josip Brozit.
Shkrimtari Momçilo Jokiq, njeriu i cili që tri dekada e gjysmë merret me personalitetin e Titos, në një bisedë për gazetën Blic, i ka kujtuar disa detaje që i ka zbuluar gjatë studimit të tij.
“Josip Brozi i vërtetë ishte kroat që ka vdekur në Vjenë në vitin 1913, ndërsa identitetin e tij e ka marrë spiuni e agjenti i shumëfishtë, Josip Ambroz, i ashtuquajtur Tito. Ai është pjellë e dashurisë së flaktë në mes të konteshës polake dhe drejtuesit të pronës së saj, Franc Ambrozit, dhe për ta shpëtuar nderin e saj aristokrat, fëmijën jashtëmartesor e ka rritur një familje e financuar nga babai i tij”, ka deklaruar Jokiq.
I biri i industrialistit
Varianti i dytë i prejardhjes së Tito-s, flet se ai ka qenë fëmijë jashtëmartesor i nënës Maria dhe njëfarë jevgu polak, një industrialisti të famshëm nga Vjena, tek i cili Maria ka punuar herë pas here.
Pohimin për prejardhjen hebreje dhe jo kroate të Titos, e ka lansuar mjeku i tij personal, prof. dr Aleksandar Matunoviq, në librin e tij "Jovanka Broz – bashkësunduesja e Titos", që është botuar pak kohë më parë në Beograd.
Që prejardhja e mareshalit është e dyshimtë, krahas serbëve e kanë potencuar edhe fqinjët e tyre kroatët. Bashkëkombësit e Tito-s, jozyrtarisht dyshojnë në saktësinë e të dhënave zyrtare të biografisë së tij.
Shumë vepra që merren me këtë tematikë janë shkruar, ndërsa në internet mund të gjinden një mori dëshmish që tregojnë se “i biri më i madh jugosllav”, në të vërtetë ka qenë agjent i shumëfishtë me një rrjet bashkëpunëtoresh nëpër botë.
Thuhet se në vitin 1934 ai ka qenë spiun i shërbimit sekret britanik, pastaj i shërbimit NKVD rus, ABVER-it gjerman, ndërsa atij i mëveshët edhe roli i oficerit të shërbimit sekret të Austro-Hungarisë.
Në shkollën ushtarake austro-hungareze në Peçuj, ku thuhet të jetë shkolluar bashkë me Kërlezhen, Tito e kishte marrë identitetin e Josip Brozit kroat, gjë që i kishte mundësuar atij të lëvizte lirshëm nëpër të gjitha territoret sllave.
Identitetin e kishte ndërruar për shkak të nevojës, sepse siç thuhet, ai ishte arrestuar afër Novi Sadit, për shkak të një përdhunimi që kishte kryer, kështu që për t’iu shmangur burgut e kishte pranuar ndërrimin e identitetit dhe aktivitetet të tjera që i janë kërkuar.
“Pasi që Josip Brozi i vërtetë ka lindur në Vjenë, ndërsa Ambrozi, respektivisht Tito, në Poloni, kjo do të thotë se Kumrovaci është segment i trilluar i biografisë së Titos”, ka thënë Jokiq.
Edhe vetë Tito sikur i është shmangur shkuarjes në Kumrovac, vendin zyrtar të lindjes së tij. Për herë të parë e kishte vizituar shumë vjet pas përfundimit të Luftës II Botërore. Ndërkaq të varri i gjoja prindërve të tij ai nuk ka shkuar asnjëherë.
Titon nuk e njohu as vëllai i tij
Dyshimi rreth prejardhjes së tij nga Kumrovaci është zbuluar nga të afërmit e tij (gjenerali Gjuriq), të cilët kanë pohuar se në vitet e 50-ta nga Budapesti ishte sjellë vëllai biologjik i Josip Brozit, përndryshe punëtor hekurudhe në Hungari, që të takoheshin sërish pas shumë e shumë vjetësh.
Ai takim ishte fiasko i llojit të vet, pasi që vëllai i tij ka thënë se ai njeri nuk mund të jetë Josip Brozi, sepse Brozi nuk e kishte gishtin tregues në njërën dorë. Gjatë luftës gjermanët kishin lëshuar fletë-arrestin për Josip Brozin në Zagreb, ku në fotografi shihej dora e tij pa gisht tregues.
Shumëkush është pyetur se si një përpunues metalesh nga Zagoria mund të luante në piano, dhe pa gisht tregues të bëhej shpatar...
Gazetari i "Vecernji novosti", Pera Simiq, përndryshe njohës i shquar i personalitetit të Titos, po ashtu pajtohet me teoritë për ndryshimin e identitetit të tij, mirëpo thotë se ato nuk janë parësore.
“Kanë ekzistuar momentet kur Titoja ka mundur të zbulohej. Të gjitha këto momente janë pushuar me gjak dhe për këtë gjë askush nuk dinte. Nën rrethana të dyshimta, ai ka arrestuar dhe likuiduar secilin që ka paraqitur rrezik për të. Në një protestë me bomba që kishte ngjarë në vitin 1928 bëhej fjalë për një person, mirëpo a ka ekzistuar dikush tjetër më herët, do të mbetet mister”, thotë Simiq.
Një shembull të ngjashëm merr edhe Momçilo Jokiq. Ai pohon se disa oficerë të Vermahtit që ishin burgosur në fund të Luftës II Botërore janë pushkatuar vetëm pse e kanë njohur Titon nga shkolla në Peçuj si dhe mëkatet e tij. Duke u lavdëruar me këtë fakt, oficerët kishin kërkuar që të kontaktohej Titoja, duke shpresuar në një tretman të mirë, mirëpo pasi ishte kontaktuar, mareshali prerazi kishte kërkuar që ata të “pushkatoheshin”.
Dëshmitarët e vrarë
“Sipas principit të njëjtë janë eliminuar të gjithë dëshmitarët e identitetit të tij të vërtetë. Disa prej tyre janë likuiduar, të tjerët janë dërguar në Goli Otok dhe më pas i ka pritur fati i njëjtë”, thotë Jokiq.
Në njërën nga agjencitë më të famshme inteligjente, CIA, ekzistojnë materiale të panumërta për Titon, ndërsa kërkesat për të pasur qasje në to vijnë nga të gjitha anët.
Një mister të vërtetë paraqet edhe valixhja e zezë me të cilën ka vdekur mareshali dhe nga e cila nuk është ndarë kurrë. Në atë valixhe, pos të tjerash, dyshohet se kanë qenë edhe dokumentet që dëshmonin prejardhjen e tij.
Fakti se gjurmët më simptomatike që do të duhej të zgjidhnin misterin për identitetin e Brozit janë ndërruar, po ashtu flasin në të mirë të dyshimeve. Në komunën Tuheli, ku janë regjistruar të gjithë paraardhësit e tij, pas vdekjes janë bërë ndryshime aq të mëdha sa që dokumenti nuk mund të quhet më valid.
Arsyet për këto ndryshime që i kanë dhënë falsifikatorët janë aq banale sa që mund të përkufizohen me marrëzi.
“Gjoja në dokument shkruante se ai ka lindur më 7 maj dhe për këtë arsye ishte përmirësuar kjo datë në 25 maj që të përshtatej si datë e mirë për festimin e ditëlindjes së Titos?! Me këtë udhë janë përmirësuar edhe disa fakte të tjera”, thotë Pera Simiq.
Sipas të dhënave zyrtare, Josip Broz ka lindur më 7 maj 1892 në Kumrovac të Kroacisë. Babai i tij ishte një fshatar i varfër, Franjo Broz, ndërsa e ëma Maria nga Sllovenia. Ai vdiq më 4 maj 1980, ndërsa çdo vit, në këtë datë në Shtëpinë e luleve në Beograd, ku është varrosur, mblidhen adhuruesit e tij nga trojet e ish-Jugosllavisë për t’i shënuar përvjetorët e vdekjes së tij.