ForumForumiPytësoriKërkoLista AnëtarëveGrupet e AnëtarëveRegjistrohuidentifikimi

Share | 
 

 28 Nëntor 1912 Dita e Flamurit

Shko poshtë 
AutoriMesazh
The.Timmi
..Administrator..
..Administrator..
avatar

Numri i postimeve : 419
Age : 25
Vendodhja : www.Alba-oNe.tK
Registration date : 25/10/2008

MesazhTitulli: 28 Nëntor 1912 Dita e Flamurit   Sat Oct 25, 2008 1:24 pm

Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar, ku merrnin pjesë delegatë që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare.


Fitoret e rrufeshme të shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e status quo-së në Ballkan. Qysh në fund të tetorit në rrethet diplomatike dhe në shtypin evropian filloi të flitej për nevojën e ndryshimeve territoriale në të mirë të aleatëve ballkanikë. Në këto kushte, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik krahas atij të “Shoqërisë së zezë për shpëtim” e të rretheve të tjera atdhetare brenda vendit. Qëllimi i këtij veprimi do të ishte të shpëtohej Shqipëria nga copëtimi, të ruhej tërësia e saj tokësore e të mblidhej një kuvend kombëtar që do të vendoste për fatin e saj. Nismën për këtë veprim të ri e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi,

Shpallja e Pavarësisë

të cilët mendonin se do të kishin përkrahjen e Lidhjes Tripalëshe. Ata u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare të atjeshme. Aty u vendos të themelohej “një komitet drejtonjës” që të merrte në dorë qeverinë e vendit; të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të Mëdha “të drejtat kombëtare e lokale të popullit shqiptar” dhe një komitet në Bukuresht, që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të tjera brenda e jashtë Shqipërisë për t’i ardhur atdheut në ndihmë. Mbledhja e Bukureshtit në vendimin e saj nuk përcaktoi qartë nëse do të kërkohej autonomi a pavarësi. Kjo do të përcaktohej, siç duket, nga zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve dhe nga qëndrimi që do të mbanin kundrejt çështjes shqiptare Fuqitë e Mëdha. Për këtë qëllim Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi me ambasadorin anglez, Berhtoldin, dhe me ambasadorin italian. Gjatë rrugës ose ndoshta në kryeqytetin austriak Ismail Qemali u njoftua për lëvizjen që kishte filluar në Shqipëri për mbledhjen e një kuvendi kombëtar. Ai i deklaroi më 10 nëntor ambasadorit anglez se do të nisej së shpejti për në Vlorë për të marrë pjesë në një mbledhje të krerëve shqiptarë, se shqiptarët ishin të vendosur të ruanin vendin e tyre, se ata do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut për të mos lejuar një copëtim të tij dhe se krijimi i një Shqipërie më vete do të mënjanonte një ndërhyrje të Austrisë dhe të Italisë.
Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri, që do t’u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. I tillë ishte edhe opinioni që mbizotëronte në rrethet diplomatike të Fuqive të tjera të Mëdha. Por autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.
Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Në këtë përfundim arriti grupi i atdhetarëve i kryesuar nga Ismail Qemali, i cili më 19 nëntor deklaronte në Trieste, ku kishte arritur bashkë me shokët, se: “... menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme”. Nga Triestja komisionit që ishte formuar në Vlorë për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar iu dërgua një telegram, me anë të të cilit kërkohej që të merreshin masa për thirrjen e delegatëve.
Ideja e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar u pritën me entuziazëm të madh në Shqipëri, ku gjetën një truall të përgatitur qysh më parë nga rrethet atdhetare të vendit. Këto rrethe kishin vendosur lidhje ndërmjet tyre dhe kishin caktuar Vlorën si qendër ku do të bëhej mbledhja e përfaqësuesve të kombit shqiptar.
Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali arriti në Durrës më 21 nëntor. Së bashku me atdhetarët durrsakë ai vendosi të ngrinte në qytet flamurin kombëtar. Por autoritetet osmane, të ndihmuara nga armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhespot Jakovi, arritën, ndonëse përkohësisht, ta pengonin këtë veprim. Komanda turke e Janinës u orvat nga ana e saj ta kapte Ismail Qemalin gjallë ose vdekur, por shumë shpejt u detyrua të hiqte dorë nga ky vendim. Administrata turke në krahinat e Shqipërisë, të papushtuara ende nga ushtritë ballkanike, në përgjithësi nuk ishte në gjendje ta pengonte lëvizjen shqiptare. Ajo i trembej shumë një konflikti të armatosur me shqiptarët, në një kohë kur po ndiqej këmba-këmbës nga aleatët ballkanikë dhe kur e vetmja rrugë tërheqjeje në perëndim ishte Shqipëria.
Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës e të Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Kavajë. Prej andej nëpër Karatoprak kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës, dhe më 25 nëntor arritën në Vlorë. Këtu delegatët e popullit shqiptar u pritën me festë. “Një zjarr i shenjtë patriotizmi, - shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij, - kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”.
Puna e parë e udhëheqësit patriot qysh më 26 nëntor ishte organizimi i forcave të armatosura. Për këtë qëllim ai ngriti një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të katundeve një qarkore, me anën e së cilës porositeshin të mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin ata në gatishmëri.
Ndërkohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Rrethet atdhetare të këtyre qyteteve vendosën ta shpallnin sa më parë pavarësinë për t’i vënë autoritetet ushtarake serbe përpara faktit të kryer. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi e Tirana dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini e Lushnja.
Për shkak të përparimit të pandalur të ushtrive serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë më kritike. Kjo ishte arsyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, ndonëse nuk kishin arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar.
Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përveç Ismail Qemalit merrnin pjesë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Toptani, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Lef Nosi, Mithat Frashëri, Mehmet Dëralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif efendi Dibra, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Koprëncka, Spiro Ilo, Iljaz Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Vërlaci etj. Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor, i pritur me gëzim të madh nga popullsia dhe nga delegatët e Kuvendit. Nga udhëheqësit e tjerë kosovarë, për shkak të rrethanave të luftës, nuk mundën të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj., që ndodheshin në burgun e Beogradit, si edhe Bajram Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës.
Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.
Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike “e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”.
Propozimi i kryetarit u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “... Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”.
Pastaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit e që e pritën këtë ngjarje historike me brohoritje entuziaste, ndërsa populli përshkonte duke kënduar rrugët e qytetit, oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj., me fjalimet e zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri.
Nga Kuvendi i Vlorës doli gjithashtu qeveria e përkohshme e kryesuar nga Ismail Qemali.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://presheva.albanianforum.net
The.Timmi
..Administrator..
..Administrator..
avatar

Numri i postimeve : 419
Age : 25
Vendodhja : www.Alba-oNe.tK
Registration date : 25/10/2008

MesazhTitulli: Re: 28 Nëntor 1912 Dita e Flamurit   Sat Oct 25, 2008 1:24 pm

FJALËT E ISMAIL QEMALIT, DITËN E FLAMURIT

“Vëllezër shqipëtarë, sa të lumtur e ndjej veten sot që shoh këtu në Vlorë kaq burra shqipëtarë të mbledhur tok.... Plot me gas e me lot në sy nga mallëngjimi pra po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh se sot edhe këtë minute kongresi çpalli mëvetësinë e Shqipërisë tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e tuke me ngarkuar mua kryesinë e qeverisë së përkohëshme të Shqipërisë së lirë. Porsi ëndrr’ më duket ky ndryshim i madh i vendit tonë që hoqi e voji të zezat e ullirit, pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk por që tani në kohët e fundit ishte gati të jepte shpirtin përgjithnjë të shuhej të shfarosej krejtësisht nga faqja e dheut. Kjo Shqipëri që dikur shkëlqente nga trimëria e pashoqe e bijve të saj: kjo Shqipëri, që kur i kërcënonte rreziku Europës nga pushtuesit e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj Skenderbejnë u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të Sulltanëve më të egër që ka pasur Turqia.
Mirpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë guximin e pashoq të shqiptarëve, sot e tutje të marin fund mjerimet e vuajtjet e atdheut ton’ sepse këtu e kështu, jemi të lirë e të pavarur e me vehte, prandaj: qeshni e gëzoni!
Për t’ia arritur kësaj dite të bardhë e ëe madhe na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëve dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë...mirpo mbledhja si më plak që jam m’a ngarkoi mua ngritjen e shenjtë të shenjës tonë Kombëtare, të Flamurit tonë të ëndërruar e të dashur (nxjerr flamurin, të cilin e ka vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël e të pshehur nën pallto dhe pasi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit.) Amatorët posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim dhe me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipëria e Lirë. Ja pra ky është flamuri ynë i kuq e me shqiponjë dykrenare të zezë në mes dhe tani, të gjithë bashkë si një trup i tërë dhe i pandarë le të punojmë për ta mburruar, për ta përparuar e për ta qytetëruar si i ka hije atdhenë tonë të lirë. Tuke përfunduar s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh që, bashkë me bekimet e tij që i lipij ta na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dishmori i parë i atdheut ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i lirë, Flamuri ynë në atdheun tonë të lirë.
Rroftë Flamuri. Rrofte Shqipëria...”
KJO KA NDODHUR NË VLORË, 1912

Gjithçka sipas dorëshkrimeve të bashkëkohësit Dhimitër Beratti. Kush ishte Një reportazh i kohës në ditën e shpalljes së pavarësisë, sipas dorëshkrimeve të Dhimitër Beratit, bashkëkohës i Ismail Qemalit

“...28 Nenduer 1912!
Ditë vjeshte. Qielli i mbuluar me re të rënda plot shi. Tregëtoret janë mbyllur, festa duket ndë sytë e njerëzve të mbledhur këtu aty, të gjithë bisedojnë rëndësinë e ditës dhe të mirat që premton ngjarja e madhe e çpalljes së lirisë.
...Është caktuar ora tre e gjysëm, por të dërguarit e popullit nisen që më tre të zënë fronat radhuar rreth sofrës së gjatë në sallën e jashtëme të shtëpisë së Xhemil beut.
Njeri pas tjetrit hyjnë shumë burra t’ardhur për këtë ditë nga të gjithe viset e tokës shqiptare, gegë e toskë, muhamedanë e të krishterë, delegatë të Kosovës e Çamërisë, të bregut të detit dhe të Shkodrës jetike, të Korçës së bukur e të Malësisë së Gjakovës. Të gjitha krahinat janë përfaqësuar.
Më tre e tridhjete hapet mbledhja. Salla është plot. Në krye të sofrës rri Ismail Qemali. Kurrë nuk është dukur më i ri. Fytyra e tij e ëmbël, fiton me të parë zemrat dhe nderimin e atyre që qarkullojnë. Mjekra e bardhë si dëbora i stolis faqet plot shëndet. Syt’ e kulluar tradhëtojnë me shkëlqimin e tyre gëzimin e thellë që ndjen zemra në këtë çast të madh për historinë e kombit. Afër tij është Don Kacorri gjithmonë i buzëqeshur, me sytë e tij shumë të lëvizshëm kërkojnë miqtë ndër të gjitha këndët e sallës për t’u thënë “n’jatjeta”. Aty pranë gjendet Luigj Gurakuqi i cili në këtë çështje është me të vërtetë “dora e djathtë e plakut”. Midis të tjerëve që kanë emër më shumë a më pak të famshëm tërheq vërejtjen fytyra e Isa Boletinit. Në fytyrë dhe në shtat Isa begi përmbledh vetijat e shqiptarit dhe jo më pak në jetën e tij shpirtërore. Të pamet luftari gjithmonë i vrenjtur, kurrë si qesh buza pa shaka të rëndë. I gjatë dhe i hollë trupi është i lidhur me dej të hekurt. Ndëgjon shumë dhe flet pak.....s’ngutet. Por askush nuk mund të shikojë Isa begun pa vënë re plakun që rri mba të anë të sofrës. Është Babë Dude Karbunara, delegat i Beratit. Mjekra e tij e gjatë dhe e rrallë e tregon midis të tjerëve si një fytyrë të huaj. Me një shami të kuqe i fshin fshehurazi lotët që rrjedhin kundër vullnetit të tij. Qysh të mos qajë i mjeri plak? Zemra e tij s’mund ta përfshijë gjithë gëzimin e kësaj dite. Një jetë të gjatë e priti këtë çast për të cilin kish predikuar pa dishprim dhe tani e sheh me sy.
-Të falem e zot! - thotë Babë Duda - për këtë ditë të lutesha të ma zgjasje jetën. Tani të pashë mund të mbyll sytë.
Kish kaluar ora tre e tridhjetë, kur u ngrit Ismail Qemali dhe ngadalë me kthjelltësi tregoi qëllimet e mbledhjes. Përshkrimi i vuajtjeve të shumta të popullit shqiptar nën zgjedhë, sajonin fjalët e para të kryetarit. “Populli shqiptar na zgjodhi dhe na dërgoi në këtë mbledhje që të këshillohemi për shpëtimin e atdheut, shpëtimi është një i vetëm: Lirija. Prandaj duke u mbështetur mbi të drejtat e shenjta dhe mbi dëshirën dhe vullnetin e patundun të gjithë popullit na përfaqësonjësit e tij e shpallim Shqipërinë mbretëri më vete, të lirë e të mosvarme. “ Një “Rroftë Shqipëria” që del prej kraharorëve i mbulon fjalët e fundit t’Ismail Qemalit. Urimet përsëriten e më s’marrin fund. Një flamur u shfaq në atë çast në mes të odës. Një tjetër flamur i rrëfehet në dritare popullit q’ishte mbledhur n’oborr të shtëpisë. Gëzimi ishte i papërshkruar në fytyra. Shumë qanin... i tërë qyteti kremton, të gjithë shikojnë me shpresë kohën e pastajme dhe telegrafi i lajmëron botës lindjen e një shteti të ri.

--------------------------------------------------------------------------------

SHPALLJA E MËVETËSISË

Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti në Vlorën trime Flamurin lavdimadh të Skënderbeut, Flamuri i aq luftave, i aq gjaku të derdhur, i aq rektimave dëshmorësh, i aq vegimeve idealistësh dhe i aq shpresave për në t’ardhmen.

Abaz ERMENJI

Më 5 Nëntor, Ismail Qemali merrte pjesë në një mbledhje që mbajti kolonia shqiptare e Bukureshtit, e cila përpiqej të bënte diçka në shërbim t’atdheut. Si masa më të shpejta, mbledhja mendoi të formohej një komitet drejtonjës për të marrë në dorë qeverimin e Shqipërisë, dhe të dërgohej një komision n’Evropë për të mprojtur përpara fuqivet të mëdha “të drejtat kombëtare e vendore të popullit shqiptar”. Një komitet ndihmës do të formohej në Bukuresht për të bashkërenditur vepërimet e komitetevet të tjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Pas këtyre vendimeve, Ismail Qemali u nis për n’Austri bashkë me Luigj Gurakuqin, Pandeli Calen dhe Dom Nikollë Kaçorrin, të cilët do t’a prisnin në Trieshtë, ndërsa ai vetë shkoi në Vienë. Që në pjekjet e para me diplomatët austriakë, Ismail Qemali u sigurua se Shqipëria do të përkrahej. Ai çfaqi mendimin se do të mblidhte në Vlorë një kuvend kombëtar, i cili do të vendoste mbi formën e qeverimit të Shqipërisë dhe do t’iu drejtonte fuqivet të mëdha një memorandum me kërkesat e popullit shqiptar. Në Vienë, Ismail Qemali u takua edhe me ambasadorët e Anglisë e t’Italisë, të cilëve iu çfaqi pikëpamjet e tija në lidhje me Shqipërinë, iu kërkoi përkrahjen e qeverivet të tyre dhe iu tregoi se populli shqiptar ishte i vendosur t’a mpronte tërësinë e atdheut gjer në pikën e fundit të gjakut. Në fillim, Ismail Qemali nuk ishte akoma i qartë nëse Shqipëria do të bëhej shtet autonom apo i pavarur. Por pas takimit që pati në Budapest me Berchtold-in, ministrin e Punëve të Jashtëme t’Austro-Hungarisë, mendimet u sqaruan më mirë: Turqia ishte thyer e shkatërruar, fjala “autonomi” s’kishte më kuptim, prandaj Shqipëria do të shpallej e pavarur.
Më 17 Nëntor, Ismail Qemali dërgoi telegram në Vlorë se për së shpejti do t’arrinte në Durrës, prandaj duhej thirrur sa më parë kuvendi kombëtar. Të nesërmen u lajmëruan telegrafisht qytetet e Shqipërisë që të dërgonin përfaqësonjësit e tyre në Vlorë. Lëvizja për një mbledhje të krerëvet shqiptarë kishte nisur përpara kësaj date. Disa përfaqësonjës prej Kosove dhe krahinash të tjera kishin ardhur në Tiranë.
Qarkullimi në Shqipëri nuk ishte edhe aq i lehtë. Grekët kishin zbritur në Himarë, më 19 Nëntor, dhe flota e tyre ndodhej përpara Vlorës. Serbët kishin shkelur Mirditën, Matin dhe, më 18 Nëntor, arritën në Lesh. Që këtej, një pjesë t’ushtërisë ia drejtuan Shkodrës, për t’iu ndihur Malazezvet, dhe pjesën tjetër Durrësit. Kurse armata serbe që luftonte në Maqedoni, pasi pushtoi Manastirin më 18 Nëntor, e nisi një pjesë të forcavet nga ana e Ohrit drejt Shqipërisë së Mesme. Jo vetëm ushtëritë armike, po edhe autoritetet turke që kishin mbetur nëpër qytetet e Shqipërisë së pashkelur i pengonin shqiptarët atje ku mundnin.
Ismail Qemali u nis nga Trieshta me shokët e vet më 19 Nëntor dhe më 21 arriti në Durrës, mbasi Vlora ishte blokuar prej flotës greke. Mendimi i parë i tij ishte që t’a shpallte pavarësinë e Shqipërisë në Durrës. Por aty gjeti pengime jo vetëm nga ana e autoritetevet turke, po edhe nga dhespoti grek i Durrësit, Jakovos, i cili “nuk njihte as nuk nderonte tjetër flamur përveç atij të Turqisë”. Kjo tregon se në ç’gjendje ishte kombi i ynë atëhere, kur një Grek i djallëzuar e bark-vozë kumandonte Shqiptarët orthodoks të Durrësit.
Bashkë me delegatët e Shqipërisë së Mesme dhe ata pakë që përfaqësonin Kosovën, Ismail Qemali u nis për në Vlorë ku arriti më 26 të Nëntorit. Pritja që i bëri qyteti i vendlindjes ishte një enthusiazëm i zjarrtë. Siç thotë ai vetë në Kujtimet e tija, “Një zjarr i shënjtë atdhetarie kishte pushtuar qytetin e vendlindjes sime dhe populli më çdo anë na përshëndeste me enthusiazëm e gëzim”.
Ndonëse nuk kishin arritur akoma të gjithë përfaqësonjësit e vendeve të ndryshme (disa erdhën pas shpalljes së pavarësisë), kohët nuk prisnin, ushtëria serbe po iu qasej Durrësit dhe Elbasanit. Prandaj Kuvendi Kombëtar u hap më 28 Nëntor me ata delegatë që ndodhëshin, gjithësejt tridhjeteshtatë, nën kryesinë e Ismail Qemalit. Ky foli shkurtazi mbi të kaluarën e Shqipërisë, mbi gjendjen dhe rrethanat e çastit, tregoi se Shqiptarët kishin marrë pjesë në këtë luftë jo si ushtarë të Turqisë, por si zotër të vendit dhe për të mprojtur vetvehten. Tani s’kishte mbetur tjetër udhë shpëtimi veçse ndarja e Shqipërisë nga Turqia. Dhe propozoi që të shpallej pavarësia kombëtare, të formohej një qeveri e përkohshme, të zgjidhej një pleqësi (senat) për të ndihmuar e mbikqyrur qeverinë, të dërgohej një komision n’Evropë për të mprojtur të drejtat e Shqipërisë përpara fuqivet të mëdha.
Këto propozime u pranuan me një zë nga Kuvendi. Qeveria e përkohshme u formua nën kryesinë e Ismail Qemalit. Pastaj u zgjodh një pleqësi prej tetëmbëdhjetë vetash. Si në qeveri ashtu edhe në pleqësi u shikua me kujdes që të bënin pjesë atdhetarë prej të tri fevet dhe nga e tërë Shqipëria.
Vendimi i shpalljes së Pavarësisë përmblidhej në pak rreshta: “Pas fjalëvet që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.
Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj shpalljeje, më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti në Vlorën trime Flamurin lavdimadh të Skënderbeut, Flamuri i aq luftave, i aq gjaku të derdhur, i aq rektimave dëshmorësh, i aq vegimeve idealistësh dhe i aq shpresave për në t’ardhmen.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://presheva.albanianforum.net
The.Timmi
..Administrator..
..Administrator..
avatar

Numri i postimeve : 419
Age : 25
Vendodhja : www.Alba-oNe.tK
Registration date : 25/10/2008

MesazhTitulli: Re: 28 Nëntor 1912 Dita e Flamurit   Sat Oct 25, 2008 1:24 pm

(Marrë nga ”Historia e Skënderbeut”. Titulli i redaksisë)



SI TRASHËGIM JU LË NJË ATDHE

Sipas kujtimeve të Rexhep Mitrovicës, Ismail Qemali, para se t’i mbyllte sytë përjetë, hodhi një vështrim faqeve të përlotura të farefisit që e kishin rrethuar dhe përtypi këto pak fjalë: “Si trashëgim vërte’ nuk po ju la asgjë, por ngushëllohuni se ju lashë një atdhe.”

28 NANDOR 1912

Çetat e patriotve e kuptuen randësin historike të iniciativës së Ismail Qemalit dhe u nisën me grupin e krenve nacionalistë për në Vlonë. Atje kishin mërrijtë 83 delegatë nga të gjitha krahinat
shqiptare tue kapëreye vështirsi të shumta nga shkaku i luftës qi zjente në të katër anët. Në mes të nji entuziasmi të papërshkrueshëm Ismail Qemali ngriti në balkonin e Bashkis flamurin e Skënderbeut
qi kishte qendisë me dorën e vet nji zonjë shqiptare. Dokumenti i shpalljes së pamvarësis, që u botue ma vonë nga Lef Nosi, asht nji pasqyrë patetike e gradës së shvillimit politik dhe kulturor të
Shqiptarve në at kohë. Teksti shqip përbahet vetëm prej katër rreshtave dhe asht formulue kësisoj: “Pas fjalëvet që tha Z. Kryetari Ismail Kemal Beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gj’ith delegatet me nji za venduan që Shqipria me sot të bahet më
vehte, e lirë e e mosvarme.”
Mandej vijnë dy rreshta të shkruejtun me alfabetin e turkishtjes së vjetër. Ma në fund, nënshkrimet e delegatve, ose të atyne qi dijshin me shkruejtë shqip. Bile duket se njani e ka vue firmën me germa turqishte. Gjithashtu edhe data e dokumentit asht karakteristike e kohës kur asht hartue mbasi përbahet nga dy shifra: 1912 të kalendarit gregorian dhe 1328 të kalendarit arab.
Plot 445 vjet mbas shkeljes së Shqipnis nga ordhit otomane u formue e para qeveri e Shqipnis së pamvarun me Ismali Qemalin si kryetari, Nikoll Kaçorrin si Nënkryetar dhe kta ministra: Myfit
Libohova, i Punve të Jashtme; Mehmet Pashë Derralla, i Luftës; Petër Poga, i Drejtësis; Luigj Gurakuqi, i Arësimit; Abdi Toptani i Financave; Pandeli Cale i Bujqësis; Lef Nosi i Post Telegrafeve.
Kongresi zggjodhi nji Senat prej 18 vetësh si hap i parë drejt krijimit të nji regjimi demokratik. Por ma së pari duhej sigurue njohja e shtetit të ri nga ana e fuqive europiane dhe përkrahja e tyne në nji kohë kur tokat shqiptare po invadoheshin pëllambë mbas pëllambe nga ushtërit e hueja. Qeverija kombëtare i njoftoi me telegram fuqive të mëdha se kombi shqiptar kishte marrë ma në fund fatin e tij në dorë dhe kërkonte me u njoftë si shtet i pamvarun dhe neutral. Ndërkaq, rreziku i invazionit ishte tek dera dhe duheshin mobilizue të gjitha fuqit për të ndalë hovin i ushtërive qi po përparonin nga tre drejtime.

(Shkëputur nga “Historia e Shqipnis” e Z. Tajar Zavalani)



LINDJA HISTORIKE E SHTETIT SHQIPTAR

Në 1878-ën nisi të marrë ndërgjegje një Komb dhe në 1912-ën lindi një Shtet.
Po ëndrrës së idealistëve shqiptarë nuk i përgjigjesh edhe realiteti i gjendjes së përgjithshme shqiptare. Në 28 Nëntor të vitit 1912 arritëm pa ndërgjegje kombëtare në popull, pa ide shtetërore, pa përgatitje politike, pa shkolla, pa urdhëra, pa qetësi, pa të holla, pa asgjë prej gjëje, përveçse me idealizmën heroike të asaj pakice që solli atë ditë.

Vangjel KOÇA

(…) Shekulli XV zbuloi Njerinë. Shekulli XIX zbuloi Kombin. Napoleoni III e quajti “Shekulli i Nacionalizmës”. Kombe të tjera të vjetëra e të shuara nga faqja e dheut kishin zënë të zgjoheshin dhe të kërkonin të drejta ekzistence indipendente edhe t’i fitonin me gjak. Po Shqiptari flinte akoma gjumin e rëndë të shekujve. U desh gjëmimi i topave ruse në portërat e Stambollit, traktati i Shën-Stefanit dhe traktati i Berlinit, që të zgjohesh edhe në Shqiptari dhe të hynte më në fund edhe ai në skenën e nacionalizmës.
Nacionalizma shqiptare e ka fillin në Lidhjen e Prizrenit. Gjer atëherë lëvizjet e vërteta nacionaliste qenë fare sporadike dhe të vetmuara. Mund t’i gjejmë në ëndërrimet poetike të De Radës në Itali edhe në përpjekjet gjuhësore të Naum Veqilharxhit e të Konstandin Kristoforidhit në Shqipëri. Lëvizjet e gjeratëhershe shqiptare kundër Turkut – pas epopesë kastriote - duhet t’i shikojmë më tepër me syzat e materializmës historike. Është e vërtetë se Shqiptari quante Turkun “Dudum”, “Manof”, “Anadollak” etj., po kjo përbuzje e thellë buronte vetëm nga mëri raciale, e cila nuk ngjitesh kurrë gjer në lartësinë e idesë kombëtare, sepse kjo mungonte krejt. As përpjekjet e Ali Pashës në Janinë dhe të Bushatlinjve në Shkodër nuk kanë patur ndonjë karakter shqiptar, por kanë qenë të frymëzuara nga ambicje vetjake megalomanie dhe pasurimi.
Me një fjalë, gjer në 1878-ën Shqiptari s’ka patur ndërgjegje kombëtare. Përçarja fetare, dëmi më i madh që Turku i bëri Shqiptarit, sepse muslimanin e bëri ushtar, mercenar dhe “memur” të Turkut, edhe të krishterin ortodoks e hodhi në gjirin e idesë së madhe të Grekut. Se si lindi, pra Lidhja e Prizrenit në mes të një gjendjeje të tillë, është një temë që nuk është studjuar akoma, po që duhet studjuar me një objektivizëm historik. Sidokudo, fakti është se Lidhja e Prizrenit i dha rast Shqiptarit që të zgjohet, të marrë ndërgjegje të kombësisë së tij, të përpiqet tani për një ideal kombëtar.
Rilindja Kombëtare Shqiptare, që nis nga Lidhja e Prizrenit e tëhu, është një këngë epike madhështore, që pret akoma këngëtarin e saj të inspiruar. Idealizma patriotike shqiptare trupëzohet në një pakicë të zgjedhur dhe heroike, gjë e cila vihet re edhe në historinë e përpjekjeve çlirimtare të kombeve të tjera. Në mes të indiferencës së popullit pa ideal dhe në mes të kaq pengimeve të mëdha të çdo natyre të krijuara nga robëria dërrmuese e pesë shekujve, kjo pakicë mundi edhe me ndihmën që i jepte pa dashur antagonizma politiko-ekonomike e Shteteve të Mëdha të interesuara, ta kurorëzojë veprën e saj të ndritur me ngritjen e Flamurit në Vlorë ditën e 28 Nëntor të vitit 1912. Në 1878-ën nisi të marrë ndërgjegje një Komb dhe në 1912-ën lindi një Shtet.
Po ëndrrës së idealistëve shqiptarë nuk i përgjigjesh edhe realiteti i gjendjes së përgjithshme shqiptare. Në 28 Nëntor të vitit 1912 arritëm pa ndërgjegje kombëtare në popull, pa ide shtetërore, pa përgatitje politike, pa shkolla, pa urdhëra, pa qetësi, pa të holla, pa asgjë prej gjëje, përveçse me idealizmën heroike të asaj pakice që solli atë ditë.
Një historian i madh anglez, Macaulery, ka shkruar: “As ndonjë popull nuk del nga gjendja e veçimit dhe e skllavërisë i edukuar në disiplinë dhe i pjekur për jetë politike, sepse kurrë nën sundimin e huaj nuk kuptohet zhvillimi i lirisë. Sikurse foshnja nuk mësohet që në djep të ecë, ashtu edhe njeriu në errësisë nuk mundet të kuptojë dhe të shquajë ngjyrat”.
Pastaj në shekullin XIX mbretëronte një formulë filozofike pas së cilës “një popull, që nuk ndjen lirinë shpirtërore, nuk mund të ndejë dot lirinë politike”.
Natyrisht Shqiptari nuk mund të përbënte përjashtim ndaj ligjeve të paluajtshme e të rrepta të historisë!
…Natyrisht një gjendje e tillë s’mund të jepte pemë të mira. Që nga Qeveria e parë e Ismail Qemalit e tëhu shohim të pëlcasion pasionet, ambiciet, individualizma, me një fjalë: të metat shqiptare. Në pëlhurën e bardhë tragjike shqiptare do të shohim të shpërdridhet me shpejtësinë e filmit një Vid, një Esad Pasha, një Haxhi Qamil. Mbi këta, ja edhe lufta e madhe, e cila na solli zaptimet e huaja. Këto zaptime i suallën vendit të këqia dhe dëme të mëdha, po na bënë edhe nja dy të mira: i prunë vendit fillin e qytetërimit mekanik në anën e komunikatave dhe e shtruan pak Shqiptarin e edukuar në shkollën anarkiste të sundimit të shkallmuar të Turkut. Në mbarimin e luftës së madhe, merr fund edhe kjo intermezzo tragjike shqiptare. Përfundimi? Shteti Shqiptar e nisi jetën formalisht në 1912 dhe de facto në 1920. Tetë vjet të tëra të humbura, të cilat duhet të zbriten nga mosha jonë shtetërore.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Shiko profilin e anëtarit http://presheva.albanianforum.net
Sponsored content




MesazhTitulli: Re: 28 Nëntor 1912 Dita e Flamurit   

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
28 Nëntor 1912 Dita e Flamurit
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
 :: Kultura :: Historia Shqiptare dhe e Huaj-
Kërce tek: